Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka publikuar të mërkurën raportin me të gjeturat nga hulumtimi 3-mujor i drejtuesve të Universitetit të Prishtinës, me ç’rast ka konstatuar se 39 për qind e profesorëve të universitetit publik kanë punime shkencore të publikuara në revista të dyshimta.
Po ashtu, ky hulumtim ka treguar se rreth gjysma e drejtuesve të UP-së (49 përqind e rasteve të analizuara) nuk i justifikojnë titujt akademikë që mbajnë, nëse dispozitat në fuqi do të zbatoheshin në rastet e tyre, dhe nëse nuk u njihen si të vlefshme punimet në revista të dyshimta.
Gjithashtu, sipas ORCA-s 39 për qind e profesorëve të shqyrtuar që mbajnë pozita drejtuese, kanë të paktën nga një punim shkencor të publikuar në revista të dyshimta.
Për të realizuar këtë hulumtim, ORCA ka marrë në shqyrtim 61 profesorë sipas posteve: rektor, prorektorë, dekanë, prodekanë, senatorë dhe anëtarë të Këshillit Drejtues.
Disa ndër drejtuesit e UP-së që paraqitën probleme më të mëdha në justifikimin e titujve të tyre akademikë, janë rektori Marjan Dema dhe dekanët Bujar Dugolli dhe But Dedaj.
Ndërkaq, ndër drejtuesit e UP-së me merita të veçanta akademike, rezultojnë prorektori Naser Sahiti dhe prodekanët Kreshnik Hoti dhe Albulena Blakaj.