Me qindra kosovarë të cilët lanë shtëpitë e tyre për t’iu bashkuar forcave terroriste të ISIS, në Siri, e numri i saktë i tyre nuk dihet ende, edhe pse institucionet e Kosovës thonë që e din numrin e saktë që kanë mbetur në Siri, por që nuk japin numra publikisht, transmeton Gazeta Metro.
Sipas Fatos Makollit, që është Koordinator Nacional kundër Ekstremizmit dhe Terrorizmit konfirmon se të gjithë tashmë janë lokalizuar.
Por, kthimi i tyre në vendlindje është komplikuar.
Zhvillimet në terren janë dramatike meqë para disa javësh amerikanët u tërhoqën nga aty, ndërsa në ndërkohë u vra shefi i të vetëquajturit Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Mësohet se që nga nisja e shkuarjes së kosovarëve në luftërat e huaja në Lindjen e Mesme numri i tyre në total është 438 ndërsa janë vrarë 93 prej tyre, shkruan Klan Kosova.
Fatos Makolli, ishte shprehur se fajtori për influencën e shkuarjes së të rinjve për t’iu bashkuar ISIS në Siri është Arabia Saudite dhe Irani.
Makolli shton se këto vende kanë pasur një qëllim të hershëm për të rizgjuar fenë konservative Islame në Kosovë, e cila do t’u rimësohej kosovarëve nga imamët arab./gazetametro.net