Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se pavarësisht rekordit me rastet e reja sot, ku ishin 514, institucionet e vendit vazhdojnë ta kenë situatën nën kontroll, duke shtuar se në vend ka më pak raste se në rajon dhe Europë, shkruan Gazeta Metro.
Hoti ka thënë institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontrollë këtë situatë.
“Numri i testimeve për COVID-19 po rritet, sikurse po rritet edhe numri i rasteve. Ne vazhdojmë ta kemi situatën nën kontroll dhe kemi shumë më pak të infektuar në krahasim me rajonin dhe Evropën. Institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontrollë këtë situatë, sidomos stafi shëndetësor, prandaj t’i ndihmojmë ata”, ka shkruar Hoti ndër të tjerash në Facebook.
Ky është shkrimi i plotë:
Të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë!
Vetëm duke mbajtur maskën dhe duke ruajtur distancën, mund ta fusim nën kontroll këtë valë të dytë të #COVID19 dhe ta mundim virusin.
Numri i testimeve për COVID-19 po rritet, sikurse po rritet edhe numri i rasteve. Ne vazhdojmë ta kemi situatën nën kontroll dhe kemi shumë më pak të infektuar në krahasim me rajonin dhe Evropën. Institucionet tona po e bëjnë të pamundurën që ta mbajnë nën kontrollë këtë situatë, sidomos stafi shëndetësor, prandaj t’i ndihmojmë ata.
Ta bëjmë këtë për shëndetin tonë, të familjes dhe të afërmve tanë. Ta bëjmë për mirëqenien tonë. Trajektores së kuqe që ka filluar të ngrihet, mund t’ia ndalim hovin vetëm duke i rrespektuar masat për parandalim të përhapjes së virusit.
Kujtojmë, që gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.750 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 514 raste pozitive.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 249 raste, Gjilan 32 raste, komuna Ferizaj 28 raste, komuna Pejë 28 raste, komuna Gjakovë 24 raste, komuna Prizren 23 raste, komuna Podujevë 20 raste, komuna Fushë Kosovë 19 raste, komuna Vushtrri 15 raste, komuna Deçan 12 raste, komuna Lipjan 10 raste, komuna Obiliq 7 raste, komuna Viti 7 raste, komuna Mitrovië 6 raste, komuna Klinë 5 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Kamenicë 4 raste, komuna Shtime 4 raste, komuna Suharekë 4 raste, komuna Dragash 3 raste, komuna Hani i Elezit 3 raste, komuna Rahovec 3 raste dhe me nga një rast komunat Istog, Novobërdë, Shtërpcë dhe Skenderaj.
Numri total i rasteve pozitive është 19.842 raste nga 94.456 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 681 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 86 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.520 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.641./gazetametro.net