Loading…
6.5 milionë euro ndahen nga buxheti për mësimdhënësit e paraluftës, FMN kundër
  • 07/04/2019 | 11:23

6.5 milionë euro ndahen nga buxheti për mësimdhënësit e paraluftës, FMN kundër

Pas aprovimit në kuvend të Ligjit për punonjësit e arsimit në periudhën 1990-’99, rreth 6.5 milionë euro janë ndarë nga buxheti i shtetit vetëm për vitin 2019, ndonëse ende nuk dihet se nga cili muaj nisë kompensimi për këtë kategori, transmeton Gazeta Metro.


Zbatimi i këtij ligji, sipas Ministrisë së Financave, mund të fillojë pas hartimit të projekt rregullores për kriteret për aplikim nga Ministrit përgjegjëse, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa këta të fundit nuk janë deklaruar për KosovaPress se kur do të nxirret kjo rregullore në fjalë.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave deklarojnë për KosovaPress së kostoja e këtij ligji për vitin 2019 është vlerësuar 6 milionë e 559 mijë euro, vitin e dytë 7 milionë e 293 mijë euro dhe vitin e tret 7 milionë e 937 mijë, ndërsa mjetet buxhetore janë të planifikuar në Ligjin e buxhetit.

“Në këtë ligj përfituesit kategorizohen bazuar në vitet e punës së tyre nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ku për çdo vit pune mbi pensionin aktual përfitojnë një shumë shtesë. Këtë kompensim e realizojnë në momentin e pensionimit në shumë mujore gjatë gjithë jetës”, thuhet në një përgjigje elektronike për KP nga Ministria e Financave.

Edhe pse zyrtarë të kësaj Ministrie nuk kanë treguar se sa  para do t’i marrë një pensionist i arsimit brenda një muaj me ligjin e ri, hartuesit e ligjit në Kuvendin e Kosovës thonë se ajo shumë brenda një muaji do të jetë 70 euro.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi thotë për KosovaPress se kostoja e Ligjit vërtetë është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës, sepse kërkesat kanë qenë për kompensime edhe më të larta, por ka pasur vërejtje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB).

Kurteshi: Kanë pasur vërejtje FMN-ja dhe BB-ja

“Kjo kosto është e përballueshme, sepse kërkesat kanë qenë për kompensime edhe më të larta, por është tërhequr vërejtja edhe nga Ministria e Financave, edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, se kostoja e propozuar është e pa përballueshme për buxhetin e Kosovës”, thotë Kurteshi.

Ai deklaron se procedurat pas Kuvendit, zakonisht mund të zgjasin një muaj, ndërsa, Ligji për arsimtarët paraluftës është aprovuar më 28 shkurt, do të thotë deri në fund të marsit kjo çështje ishte dashur të rregullohet.

Kurteshi: 70 euro shtesë mbi pensionin të cilin e ka secili prej tyre,

“Mendoj që prej muajit të ardhshëm mësimdhënësit, vërtet pensionistët mësimdhënës të viteve të ’90-ta duhet të fillojnë t’i marrin mjetet të cilat iu takojnë me ligj. Secili mësimdhënës që ka punuar gjatë nëntë viteve, do t’i marrin 70 euro shtesë mbi pensionin të cilin e ka secili prej tyre, duke filluar prej atij që ka punuar një vit i merr 14 euro. Pra minimumi është 14 euro, maksimumi 70 euro”, thotë ai.

Ndërsa, drejtues të SBASHK-ut pohojnë se nga ky ligj mësimdhënësit përfitojnë 95 euro për një muaj.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari thotë se sipas shifrave që i ka dhënë ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është thënë se do të fillohet kompensimi diku me 9 mijë 300 pensionistë arsimit, por që rreth 3 mijë prej tyre nuk janë të gjallë, ndërsa rreth 23 mijë të punësuar në atë kohë do ta gëzojnë ligjin.

Jashari thotë se për çdo vit do të pensionohen nga 700 arsimtarë.

Jashari: Pensionet tashmë kanë mbetur në ‘dorën’ e ministrit Bytyqi

“Pensionet që do t’i gëzojnë do t’ju shtohet edhe vlera prej 95 euro, ndërsa ata që kanë punuar më pak do ta kenë një rënie të vogël në përqindje, por edhe ai që ka punuar një vit do të jetë përfitues. Do të përfitojnë të gjithë, por jo njëjtë. Më shumë do të përfitojnë ata që kanë punuar gjatë gjithë viteve. Pa dashur ta kritikoj askënd, ministri Bytyqi mund ta përshpejtoj procedurën, duke nxjerrë Udhëzimin administrativ, duke mos pritur gjashtë muaj. Pas këtij Udhëzimit administrativ, arsimtarët do të mund të aplikojnë, pastaj në muajt pasues do t’i përfitojnë edhe këto mjete shtesë”, deklaron Jashari.

Ndërsa, përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtarë (FMN) në Prishtinë gjatë votimit të projektligjit në lexim të parë në Kuvend, e patën kundërshtuar idenë e krijimit të legjislacionit për kompensimin e arsimtarëve të viteve 1990-1999, ngaqë do të jetë një barrë e rëndë për Buxhetin e Kosovës.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë