Loading…

A do i bien në fije gjatë 2022? Tri versionet e ndryshme nga Qeveria Kurti për punësimet

  • 31/12/2021 | 22:00

A do i bien në fije gjatë 2022? Tri versionet e ndryshme nga Qeveria Kurti për punësimet

Se Qeveria Kurti kishte mospërputhje në deklaratat e tyre u vërejt shpesh gjatë vitit 2021. Madje këto mospërputhje viheshin në pah edhe kur bëhej fjalë për çështje të rëndësishme ekonomike, sociale e problematika të shumta, shkruan Gazeta Metro.


Në vitin 2021 asesi nuk u kuptua nga qeveritarët se sa vende të reja pune u hapën.

Ministrat thoshin ndryshe, e kryeministri edhe më ndryshe.

Mospërputhja vërehej vazhdimisht. Ministrat dinin të ishin modest, e kryeministri e mbante një mesatare ‘’simpatike’’.

10 mijë, 22 mijë e 6 mijë. Shifra goxha të ndryshme, apo jo?

Tërë këtë ‘’mix’’ e nisi ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministri  që njihet për ‘’krekosje’’ në masë goxha të lartë, tha se GDP’ja e Kosovës ka shënuar rritje në krahasim me periudhën e vitit të kaluar.

Ai tha se për gjashtë muajt e parë të vitit 2021 ishte 10.4%.

”Lajmi i mirë është që aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje rekorde që nuk e kemi parë deri tani ku në krahasim me vitin paraprak GDP-ja ka shënuar rritje prej 16.28 për qind. Rritja ekonomike për gjashtë muajt e parë të këtij viti është 10.4 për qind. Mund të flasim për një rritje të përgjithshme ekonomike në gjysmë vitin e parë për sivjet”, tha ai në një konferencë për media.

Sipas Muratit, shifrat aktuale tregojnë një rritje të ndjeshme ekonomike edhe në raport me vitet që nuk kanë qenë pandemike.

“Këtë rritje e mbështesin edhe të dhënat nga ATK e Dogana se qarkullimi i bizneseve ka shënuar rritje prej 49.5 për qind. Punësimi ka rritje prej 22 mijë vende pune të reja në krahasim me qershorin e vitit paraprak. Projeksionet për rritje i kemi pasur për 7.9 për qind, mirëpo marrë parasysh me performancën që pritet ta kemi mbi 10 për qind”, shtoi ai.

E me kaq nuk mbaroi ‘’saga e punësimeve’’.

Një muaj më vonë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi doli me tjera statistika.

Numri dy i ekzekutivit tha po ashtu se në qeverisjen e tyre 6-mujore për herë të parë në Kosovë është rritur numri i të punësuarve për 9 mijë e 300.

“Në rrafshin ekonomik ne e kemi kuptuar mesazhin, e kemi kuptuar rëndësinë e krijimit të vendeve të punës. Statistikat që i kemi marrë deri javën e kaluar tregojnë që sot në Kosovë është numri më i madh i punësuarve që është regjistruar ndonjëherë në historinë e Kosovës dhe është për 9.300 më i lartë se sa në momentin kur kemi marrë qeverisjen në mars 2021. Kjo nuk do të thotë që nuk ka hapësirë ende për të shtuar punësim dhe rritur formalizimin”, u shpreh Bislimi.

Për t’i dhënë fund numrit të punësimeve për 2021, e për ta lënë në gjysmë e dilemë numrin e të punësuarve u kujdes kryeministri Albin Kurti.

Ai tha se janë hapur hiç më pak se 10 mijë vende të punës.

Njëfarë mesi nga 22 mijë e 6 mijë të premtuara nga kolegët e tij.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës në konferencë për media pati deklaruar se Kosova ka pasur rritje ekonomike, duke shtuar që në tre mujorin e dytë kishin rritje ekonomike me 16.3%  ndërsa në tre mujorin e tretë 14.5%.

“I kemi formalizuar 10 mijë vende të reja te punës dhe ATK ka inkasuar mbi 588 milionë euro që është më shumë se 1/4 krahasuar me vitin e kaluar, më shumë se 1/8 krahasuar me vitin 2019 dhe 28% krahasuar me vitin 2018”, tha Kurti.

Por se sa vende janë hapur vazhdon të mbetet ‘’mister’’. Shifrat janë të ndryshme e realiteti ende i turbullt. Mbase kjo do kuptohet në 2022./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë