Loading…

A do ta hapë Spanja Zyrën Tregtare dhe Kulturore në Kosovë, flasin nga Madridi

  • 29/12/2021 | 15:53

A do ta hapë Spanja Zyrën Tregtare dhe Kulturore në Kosovë, flasin nga Madridi

Nga Qeveria e Spanjës s’kanë pranuar që të japin ndonjë informacion lidhur me paralajmërimet për hapjen e një Zyre Tregtare dhe Kulturore në Prishtinë. Nga Madridi, kanë thënë se qëndrimi karshi pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm, megjithatë kanë theksuar se qasja ndaj të dy palëve, Kosovës edhe Serbisë, do të jetë tejet konstruktive dhe se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e mbajtjes së kontakteve më të dy shtetet.


Në një përgjigje për Gazetën Express nga Qeveria e Spanjës, të pyetur rreth paralajmërimeve për hapjen e një Zyre Tregtare dhe Kulturore në Prishtinë, kanë deklaruar se për këtë çështje s’kanë asgjë për të raportuar.

“Në përgjigje të pyetjes suaj specifike, Zyra për Informimi e Diplomacisë Spanjolle nuk ka asgjë për raportuar lidhur me këtë çështje”, ka thënë Patricia Tortosa nga kjo zyrë për Gazetën Express.

Express këtë pyetje në adresë të Madridit zyrtar e ka dërguar pas raportimeve të mediumit spanjoll “The Objective” se pritet që Spanja të hap një Zyre Tregtare dhe Kulturore në kryeqytetin kosovar. Siç kishte shkruar gazeta një veprim i tillë do të bëhet duke ndjekur modelin e Franco-s me BRSS-në, pra pa nënkuptuar njohjen e plotë të Republikës së Kosovës.

Tortosa tutje për Express ka theksuar se pozicioni i Spanjës për pavarësinë e Kosovës mbetet i pandryshueshëm.

“Spanja mban qëndrimin e saj të mosnjohjes së shpalljes së njëanshme të pavarësisë miratuar nga Prishtina në 2008. Spanja konsideron se ishte një akt i njëanshëm dhe në kundërshtim me ligjin”, ka shtuar ajo.

Teksa sqaron një pozicion të tillë të Madridit zyrtar karshi pavarësisë së Kosovës, Tortosa ka thënë se një qëndrim i tillë “është në pajtim me Ligjin ndërkombëtar dhe në parimet bazë të tij, nga ku rezulton se shpallja e pavarësisë e të quajturit territor ishte një akt që nuk përputhet me të Drejtën Ndërkombëtare të lartpërmendur”.

Pavarësisht këtij pozicioni të Spanjës, Tortosa thotë se qasja e Spanjës do të jetë shumë konstruktive.

“Në çfarëdo rasti, qasja jonë është shumë konstruktive; dhe, të vetëdijshëm për rëndësinë e mbajtjes së kontakteve me të dyja palët, kërkohet që ata ta pranojnë pashmangshmërinë e një marrëveshjeje që e respekton ligjin ndërkombëtar, edhe me detyrat e vështira që kjo do t’i përfshijë”, ka përfunduar Patricia Tortosa nga Zyra për Informim e Diplomacisë Spanjolle.

Lidhur me këtë çështje Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, megjithatë s’kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Gazeta spanjolle “The Objective” rreth një muaj më parë kishte raportuar se kreu i Qeverisë së Spanjës, Pedro Sanchez, është duke përgatitur një kthesë historike sa i përket pozitës së Madridit zyrtar për Republikën e Kosovës. Sipas kësaj gazete spanjolle një lëvizje e tillë do të nënkuptojë edhe pranimin de-fakto të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Sipas kësaj gazete, Spanja po përgatit një ndryshim drastik sa i përket raporteve me Kosovën. Lidhur me këtë çështje kishte folur edhe Sekretari i Shtetit spanjoll për BE-në, Juan Gonzales-Barba, i cili e ka bërë të qartë se Spanja nuk do ta njohë diplomatikisht Kosovës derisa s’ka një marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Por numri tre i diplomacisë spanjolle kishte deklaruar se Spanja dëshiron që të jetë më e involvuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se një strategji e tillë do të ishte e çalë nëse vazhdohet me injorimin total të Kosovës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]metro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë