Loading…

A do ta zëmë trenin?

  • Nga

  • LIRAK ÇELAJ

  • 03/12/2019 | 18:11

A do ta zëmë trenin?

Kosova duhet ta zë trenin e fundit, e ky tren nënkupton arritjen e një marrëveshje me Serbinë të cilën po e garanton fuqia më e madhe botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse Kosova do ta refuzon këtë marrëveshje dhe këtë momentum, çështja e saj mund të mbetet problematike, një lloj sikur e asaj së Palestinës.


Shkruan: Lirak Çelaj

Që nga antika, koha e ilirëve, pas rënies nga froni i mbretëreshës Teutë e deri te Skënderbeu,ilirët/shqiptarët nuk arritën asnjëherë të organizohen e të etablohen dhe të krijojnë një pushtet, i cili do t’iu garantonte shqiptarëve mbrojtjen e interesave të tyre dhe të bëhen faktorë në raport me forcën që kishin.

Skënderbeu ishte i pari pas asaj periudhe të gjatë, i cili dha një shpresë që mund të ishte themel i krijimit të një shteti shqiptar, ndonëse në atë kohë nocioni komb nuk kishte kuptimin që ka prej shekullit të 19 e këndej. Si pasojë shqiptarët vazhduan të mbesin nën okupim apo si pjesë e perandorive të ndryshme që u krijuan në territoret kua ata ishin shumicë.

Nuk është që nuk kishte momente gjatë gjithë kësaj periudhe por në mungesë të vetëdijes dhe shumë shpesh për shkak të egove personale të liderëve në i humbëm rastet për të bërë një gjë të tillë.

Kështu ndodhi edhe gjatë dhe pas rënies së Perandorisë Osmane. Shqiptarët në mungesë të projektit për të ardhmen e tyre, vizionit të qartë për të krijuar shtetin e tyre etnik, dështuan që të shfrytëzojnë momentumin. Si pasojë mbetëm të copëtuar. Jo që nuk kishte përpjekje, pra, duke filluar nga Lidhja e Prizrenit e deri te shpallja e Pavarësisë më 1912, por bindjet dhe konceptet që ishin në atë kohë te një pjesë e madhe e liderëve të asaj kohe dhe popullatës në përgjithësi, duke mos mundur të lexojnë lëvizjet gjeopolitike të kohës dhe duke u rreshtuar në anë të gabuar, disa duke i mbetur besnik Sulltanit e disa xhonturqve. Vetëm një pjesë e vogël e liderëve kishin vizion të qartë të shtetformimit, siç ishin rilindësit, vëllezërit Frashëri, Hasan Prishtina etj.

Pas rënies së murit të Berlinit u krijua një mundësi e re për shqiptarët kudo që ishin dhe mund të them që filloi periudha kur u arrit më së shumti në favor të çështjes kombëtare. Shqipëria u çlirua nga sistemi monist dhe u bë pjesë e NATO-s, gjë që para disa dekadash ishte e paimagjinueshme; Kosova bëri luftën e UÇK-së dhe u çlirua nga Serbia; shqiptarët në Maqedoni, Luginë të Preshevës e Mal të Zi siguruan të drejta më të mëdha, por jo të mjaftueshme. Kjo u arrit falë orientimeve të duhura të popullit dhe lidershipit dhe lirisht mund të themi që shqiptarët më në fund filluan të shfrytëzojnë momentumet e favorshme për ta.

Pra, për të realizuar disa procese politike duhet shfrytëzuar momentet e caktuara politike, në këtë rast gjeopolitike. Është e vështirë të realizohen qëllimet kombëtare finale pa u krijuar një klimë e përgjithshme për të. Momentet janë si treni që vjen kur e ka orarin dhe jo kur do ti. Ajo që është me rëndësi është te jesh në stacionin e trenit dhe të dish saktë se ku do të shkosh dhe të hipësh në tren. Për shembull: A do të mund të ndërrohej sistemi monist në Shqipëri para rënies së Murit të Berlinit? A do të mund të bëhej lufta për çlirimin e Kosovës para shpërbërjes së Jugosllavisë? A do të mund të shpallej Pavarësia funksionale e Kosovës në vitet e ’80-ta? Për të realizuar këso projekte duhet të punohet paraprakisht dhe të shfrytëzohet momenti, me një fjalë të krijohet momentumi.

Përkundër asaj që përmenda më parë se pati arritje të mëdha dhe avancim të çështjes shqiptare, kam frikë se aktualisht jemi futur në krizë dhe rrezikojmë të humbim Momentumin e favorshëm të krijuar për shqiptarët. Mungesa e unitetit brenda faktorit politik, lufta personale mes tyre, lufta e egove,grindjet ndonjëherë infantile mes liderëve politikë, kundërshtimi i projekteve dhe iniciativave vetëm e vetëm se e ka propozuar oponenti politik,si një mallkim na kanë futur në krizë kudo jetojmë: në Kosovë e Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginë të Preshevës, dhe kështu rrezikojmë të humbim edhe trenin e tanishëm.

Këmbëngulësia për të mos votuar demarkacionin me Malin e Zi, gjë që u bë pa ndonjë efekt të lakmuar nga të gjithë, na e humbi momentumin e liberalizimit të vizave. Mundësia që të diskutohet bashkimi i Luginës së Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës e kundërshtimi i kësaj ideje apriori vetëm për t’iu bërë oponencë atyre që e vunë në tavolinë; në anën tjetër shqiptarët e Maqedonisë humbën rastin jetik për t’u bërë pjesë e Kushtetutës së shtetit Maqedon (tash Maqedoni e Veriut) si popull shtetformues (hisenik të shtetit) me të drejta të barabarta me maqedonasit. Kjo mund të vihej kusht kur duhej votuar ndërrimi i emrit dhe besoj që të gjitha shtetet demokratike perëndimore do ta përkrahnin këtë, sepse kjo do të thoshte një shtet më stabil, më funksional, në të cilin të gjithë ndihen në shtëpinë e tyre,që sot nuk mund të thuhet se ndodh.

Tani mendoj se sfida kryesore e qeverisë së re në ardhje do të jetë pikërisht shfrytëzimi i momentumit. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë që do të garantonte paqe afatgjate mes dy popujve. Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën do t’i hapte rrugë bashkimit kombëtarë. Kosova nuk do të kishte më pengesa në asnjë proces ndërkombëtar. Përmbyllja e konflikteve shekullore mes serbëve e shqiptarëve do të thotëprosperitet për brezin e ri, për shqiptarët dhe gjithë rajonin.

Çka ndodh nëse na ikën treni dhe ne mbesim këtu ku jemi. Po e marr shembull çështjen mes Izraelit dhe Palestinës. Bill Klinton pati marr një iniciativë serioze për të zgjidhur konfliktin mes tyre. Në atë kohë dukej se gjërat ishin afruar dhe se do të ishte një moment historik i arritjes së paqes mes këtyre dy popujve. Por marrëveshja u refuzua dhe kjo temë pothuajse u harrua. A e keni dëgjuar më të flitet për palestinezët? Kjo temë thjeshtë është futur në arkivat e bashkësisë ndërkombëtare. Kam frikë se kjo mund të na ndodhë edhe neve, nëse tregohemi kokëfortë, të udhëhiqemi nga një kokëfortësi folklorike duke e menduar veten se si do të këndohemi nga rapsodët tanë për “qëndrimin e palëkundur”. Mendoj që duhet të heqim dorë nga egoja personale në favor të interesit kombëtarë. Ta shfrytëzojmë Momentumin që po na afrohet të hipim në tren. Përndryshe do të mbetemi në stacion dhe kushedi kur na vjen treni tjetër dhe kushedi në çfarë destinacioni na shpie. Këmbëngulësia për mbajtje të taksës dhe tendenca për të eskivuar dialogun me Serbinë mund të na pengojmë të hipim në tren.

Përveç tjerash në Kosovë dhe në të gjitha trojet ku sot jetojnë shqiptarët, por edhe në Ballkan në përgjithësi, kanë filluar të tërheqin disa forca tjera gravitacionale e shumica e tyre vijnë nga lindja dhe ky është një tjetër rrezik që mund të shkatërrojë perspektivën e vendit e të kombit.

(Autori është politikanë i njohur nga Prishtina dhe kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro)

Më të fundit
...
  • 29/01/2020 | 08:33
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë