Loading…

A do t’i ikin Kosovës edhe më shumë punëtorë nëse hiqen vizat

  • 30/09/2022 | 18:44

A do t’i ikin Kosovës edhe më shumë punëtorë nëse hiqen vizat

Numri i kosovarëve që ikin nga vendi mund të rritet edhe më shumë pas liberalizimit të vizave. Nga Sindikata e Sektorit Privat shprehen të shqetësuar, derisa deputeti Pal Lekaj tregon se si mund të parandalohet largimi i kosovarëve nga vendi.


Liberalizimi i vizave për Kosovën s’ka qenë kurrë më afër sesa tash. Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për këtë çështje më 13 tetor.

Por, edhe pse ende s’ka asgjë të sigurt nëse do të ketë liberalizim, bizneset kanë nisur të shqetësohen se do të mbesin pa punëtorë, që edhe ashtu janë në mungesë.

Këtë e thotë edhe kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai i ka thënë Gazetës Express se nëse liberalizohen vizat, do të rritet numri i atyre që largohen nga Kosova.

“Realisht Kosova ka qenë e rrezikume, është e rrezikume dhe në njëfarë forme mendoj se do të jetë po e njëjta tempo për shkak që rrezikshmërisë së punëtorëve, sepse jo tash por qe një kohë të gjatë kompanitë kanë filluar të mbesin pa punëtorë të kualifikuar dhe unë mendoj që liberalizimi do të ketë një shpejtësi të ikjes punëtore, por megjithatë edhe kështu po mjafton. Për çdo ditë, kemi nga 2 mijë aplikues për të ikur nga Kosova dhe normal që tani veç kanë filluar të ndihen mungesat, sidomos te punëtorët e kualifikuar. Është shumë normal që do të ketë mungesë të punëtorëve të pakualifikuar, derisa punëtorë të pakualifikuar ka mjaftë në Kosovë”, ka thënë Azemi.

Ai ka treguar se qe një kohë të gjatë kanë kërkuar si sindikatë nga Qeveria e pronarët e kompanive që të ulen e të bëjnë një program që të parandalojnë ikjen e punëtorëve, por siç thotë, s’janë marrë me këtë çështje.

Sipas Azemit, në vend ka punëtorë të pakualifikuar, por që duhet investim për t’i future në tregun e punës dhe në fund s’ka siguri a do të qëndrojnë për një periudhë afatgjatë.

“Qe një periudhë bukur të gjatë kemi kërkuar nga Qeveria dhe pronarët e kompanive që të ulemi dhe ta bëjmë një program afatshkurtë që të dalim para punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, që t’u përmirsohen kushtet, siguria dhe shëndeti në punë, por sipas të gjitha gjasave, Shteti dhe pronarët e kompanive nuk janë marrë fort me këtë çështje, çka tani më për një fuqi punëtore duhet të investohet dyfish, pasi që të gjithë ata punëtorë që duan të hyjnë në tregun e punës, duhet t’i ndihmojmë që të merren me një punë profesionale dhe kjo do t’ju kushtojë dhe në fund nuk është punë e sigurt se ata punëtorë do të qëndrojnë për një periudhë të gjatë aty”, ka thënë Azemi.

Ndërkohë, deputeti Pal Lekaj ka thënë se është shumë e rëndësishme që të liberalizohen vizat, por se duhet të fillohet edhe me përgatitje për të parandaluar largimin e qytetarëve nga vendi.

“Shpresojmë dhe urojmë që liberalizimi i vizave të bëhet realitet e mos të mbetet ëndërr dekadëshe për popullin e Kosovës. E kam thënë më herët e po e potencojë prapë që qytetarët e vendit, ekskluzivisht të rinjtë e kanë humbur durimin dhe shpresën mbi liberalizimin e vizave, në kuptim të lëvizjes së lirë për në Evropë për të studiuar, punuar, bërë biznes dhe për vizitë.  Së pari është e rëndësishme të liberalizohen vizat, dhe pastaj duhet që energjinë dhe punën ta orientojmë specifikisht mbi atë se vërtet çfarë duhet të bëjmë për ti ndalur qytetarët të mos e lëshojnë vendin”, ka thënë Lekaj për Express.

Ai ka propozuar që të ketë bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës për këtë, si dhe me shtete e organizata ndërkombëtare për t’iu ofruar kushte më të mira qytetarëve.

“Politikat shtetërore të Kosovës, ktu edhe me një reflektim dhe bashkëpunim Pozitë-Opozitë, pse jo bashkëpunim edhe me shtete dhe organizata ndërkombëtare me qëllim që të gjejmë Planet dhe Praktikat më të mira se çka të ju ofrojmë qytetarëve që mos ta lëshojnë vendin. Bazike mendojë që janë Shëndetësi e fortë dhe Sigurime shëndetësore; Rritja e Pagës Minimale; Siguri, rend dhe të drejta për puntorët në sektorin Privat; Zhvillim ekonomik me prioritet në Hapjen e Fabrikave dhe vendeve të punës!”, ka deklaruar Lekaj.

Ndryshe, liberalizimi i vizave për Kosovën është pika e 5-të e rendit të ditës së Grupit Punues për Viza i cili do t’i zhvillojë punimet me 12 dhe 13 tetor në Bruksel.

“Prezantimi nga Komisioni i dokumentit jo-zyrtar që ofron një përditësim faktik të situatës dhe shkëmbimin e mendimeve”, thuhet në rendin e ditës të agjendës zyrtare ku do të diskutohet liberalizimi i vizave për Kosovën.

Për të diskutuar mbi liberalizimin e vizave në takim janë ftuar të marrin pjesë edhe delegatët e Grupit të Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COËEB)

Një zyrtar i KE-së ka konfirmuar para dy ditësh për Gazetën Express se janë duke punuar në përditësimin e raportit të KE-së për liberalizimin e vizave.

“Për të mbështetur vendimmarrjen e shteteve anëtare, ne do të prezantojmë këtë vit raportin tonë të zgjerimit 2022 të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave. Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare.  Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, për të prezantuar një gjendje të përditësuar të situatës aktuale që lidhen me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill”, i tha Gazetës Express një zyrtar i Komisionit Evropian.

Raporti i Komisionit Evropian që do të prezantohet më 13 tetor në organin përgatitor të Këshillit Evropian i quajtur Grupi Punues për Viza do të shërbejë si bazë për të nisur debatin për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshill.

Kështu i tha Gazetës Express të shtunën e kaluar zëdhënësi i Presidencës çeke, Václav Smolka, duke konfirmuar se në mesin e shteteve të BE-së ka gatishmëri që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave për zonën Schengen.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën ndodhet shumë lart në agjendën e Presidencës Çeke. Aktualisht, Komisioni Evropian është duke përgatitur një raport për situatën aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për të nisur një debat për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së. Ky raport pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor 2022”, ka thënë ai.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë