Filozofi shqiptar Sead Zimeri ka folur për një temë e cila nxit debat sa herë që e hapë dikush.
Ai ka folur për atë se a ekziston Zoti apo jo. Sot në botë shumica e njerëzve besoj në ekzistencën e Zotit, por filozofi shqiptar thotë se këtë përgjigje nuk e di, e me këtë mbetet agnostik.
Lexoni të plotë përgjigjen e filozofit Sead Zimeri, në pyetjen se a ekziston Zoti:
Jam pyetur shpesh se a ekziston Zoti. Përgjigja ime përherë ka qenë: nuk e di; në kërë çështje unë mbetem agnostik. Pse jam agnostik?
Sepse nuk ka mundësi të dëshmohet apo të mohohet me argumente logjike dhe shkencore ekzistenca e Zotit. Çështja më e ndërlikuar është origjina e universit: a ka fillim universi dhe nëse ka fillim si erdhi në ekzistencë? A u vetë-krijua? Apo ndoshta dikush e krijoi atë? Nga pikëpamja logjike që funksionon në kohë dhe hapësirë gjërat nuk krijohen vetvetiu, ato kërkojnë krijues. Por kjo logjikë është problematike sepse nuk funskionon në raport me Zotin: një send i krijuar mund të presupozojë më shumë se një krijues kështu që ky argument mund të dëshmojë më shumë sesa që kërkohet nga ai. Pra, argumenti mund të supozojë një zot apo një shumësi zotash.
Problemi tjetër është që kategoritë logjike janë kategori kohore-hapsinore që nuk funksionojne jashtë kufijve kohor dhe hapësinor. Është e vërtetë që brenda universit gjërat kanë nevojë për krijues: magjia është mashtrim sepse gjërat ndjekin ligjet natyrore të shkakut dhe pasojës dhe nuk shfaqen prej hiçit; por ne nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë se si ishte para se të ekzistonte universi. Ekzistenca dhe mosekzistenca janë të barabarta këtu. Mund të spekulojmë, dhe ndonjë përfundim mund të jetë më i arsyeshëm se ndonjë tjetër por edhe arsyeshmëria është relative brenda kontekstit kohë dhe hapësirë.
Çështja e ekzistimit të Zotit pra është çështje që nuk mund të përcaktohet me logjikë apo me shkencë. Zotit ose i besojmë ose nuk i besojmë: por as besimtarët dhe as jobesimtarët nuk kanë argumente për besimin apo mosbesimin e tyre. Prandaj besimi mbetet çështje tërësisht private, personale e njeriut.