Loading…

A janë të shantazhuar deputetët e LDK’së për ta votuar Demarkacionin

  • 03/03/2017 | 09:45

A janë të shantazhuar deputetët e LDK’së për ta votuar Demarkacionin

Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit po kundërshtohet nga një numër i madh i deputetëve, duke përfshirë edhe ata nga partitë në pushtet, LDK, e edhe PDK.


Së fundmi madje u tha se ka edhe kërcënime për deputetët, në mënyrë që ata që janë kundër, të votojnë pro demarkacionit, kur ai të sillet në Kuvend për ratifikim.

Ata që ishin më të përfolur se po u bëhet presion ishin deputetë të LDK-së, që janë kundër. Por të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, ata kanë mohuar një gjë të tillë.

Quni: Nuk ka presion dhe nuk ndikohem prej tyre

Këto pretendime i ka hedhur poshtë deputeti Anton Quni, i cili ka thënë për gazetën “Bota Sot” se askush nuk po bën presion mbi ta dhe se ai nuk ndikohet nga presioni, e që qëndrimin e tij final do ta bëjë të ditur në Kuvend dhe jo në media.

“Vazhdoj të veproj njëjtë siç edhe kam vepruar në të kaluarën time politike që për çështjet e rëndësisë së lartë nacionale, do të flas e diskutoj aty ku është vendi, aty ku votuesit e mi më kanë dërguar me votën e tyre. Dua të potencoj se askush nuk është duke ushtruar asnjë lloj presioni ndaj meje. Unë nuk ndikohem nga presionet. Të jeni të sigurt që për secilën çështje a vendim, qëndrimet i bazoj gjithmonë në argumente dhe fakte, në të mirën e qytetareve të Kosovës”, ka thënë Quni.

Rexhepi: Qëndrimin e bëj të ditur në Kuvend

Se qëndrimin e tij në të mirë të vendit do ta bëjë publik në Kuvend, kur edhe demarkacioni do të sillet për ratifikim, ka thënë edhe deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, për gazetën “Bota Sot”.

“Vlerësimi im është se propozimi duhet të vijë në parlament dhe parlamenti duhet të hapë debatin demokratik dhe të bëjë zgjedhjen më të mirë që duhet. Pasi të bëhet një debat i mirë në parlament nga ana e deputetëve përfaqësuesve të popullit, besoj se secili deputet duhet ta ketë parasysh vendimin e drejtë, alternativën e drejtë dhe mendoj se të gjithë deputetët janë duke e kërkuar një zgjidhje politike dhe kushtetuese dhe në harmoni me një koncesus të plotë parlamentar sepse është çështje e madhe, e sovranitetit territorial të vendit, prandaj duhet një koncesus për alternativën e Qeverisë, për një alternativë tjetër apo për një vendim që parlamenti e merr përgjegjësinë politike dhe kushtetuese dhe mendon se është zgjidhja më e mirë. Pra unë do të jem pjesë e këtij debati, pjesë e këtyre vlerësimeve, qëndrimeve, që në parlament ta gjejmë zgjidhjen më të drejtë për vendin. Qëndrimin tim do ta them në parlament. Jemi për zgjidhjen më të mirë për vendin”, ka deklaruar Rexhepi.

Tërmkolli: Të bisedohet për Demarkacionin

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka thënë se është e pashpjegueshme sjellja e Qeverisë për Demarkacionin, përderisa vet Mali i Zi është në gjendje që të rinegociojë, edhe pse Kuvendi atje e ka miratuar formën aktuale të Demarkacionit.

“Ka shume variante lidhur me Demarkacionin, për të cilat mund të bisedohet, prandaj është e habitshme këmbëngulja e Mustafës për ta ratifikuar këtë version të Demarkacionit, përderisa vet sponzorizuesi i demarkimit, Hashim Thaçi, e ka bërë njëfarë tërheqje”, është shprehur ajo.

Salihaj: Nuk e votoj demarkacionin edhe po të përjashtohem nga LDK

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Adem Salihaj, ka thënë se mbase atë edhe mund ta heqin nga listat për deputet në zgjedhjet e ardhshme, ose ta përjashtojnë tërësisht nga LDK-ja, por ai s’e ka ndërmend ta votojë Demarkacionin në këtë formë siç është tani.

“Mund të ndodhë edhe përjashtim nga lista edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por gjithmonë parimi im ka qenë interesi i shteti dhe jo partiak. As këtë herë nuk do të çojë peshë asnjë kërcënim. Askush nuk ka të drejtë të na bëjë presion të caktuar – kur të vijë koha e listave mund të mos jemi në ato lista, por mendimi im nuk ndryshon. Unë jam në LDK nga fillimi dhe është absurde të më përjashtojnë, por mund të ndodhë”, ka thënë Salihaj.

Ai ka treguar arsyet përse ai nuk do ta votojë Demarkacionin.

“Në fillim kisha një bindje që është gjithçka në rregull. Një kohë kisha këtë bindje, por më vonë kur filluan të dalin fakte të reja dhe të flasin ekspertët atëherë mendova përsëri se a është në rregull dhe fillova të dyshojë në vërtetësinë e komisionit dhe krijova një bindje se nuk është gjithçka në rregull dhe nuk është mirë të merret një vendim i tillë me dyshime. Vërtetë se kuptoj se sa do që po zgjatet kjo çështje vetëm po rritet problemi dhe po komplikohet më shumë. Jam i bindur se ka bërë gabim, por nuk e di përse e ka bërë këtë gabim dhe nuk dua të spekuloj”, është shprehur deputeti Salihaj.

E një deputet tjetër që është kundër Marrëveshjes së Demarkacionit që nga fillimi është Shpejtim Bulliqi, i cili vazhdon të ketë mendimin e pandryshuar.

Marrëveshja e Demarkacioni e nënshkruar në vitin 2015, e cila u soll në Kuvend me 1 shtator por u tërhoq, do të sillet në Kuvend javën e ardhshme.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë