Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë kanë prodhuar një fitues me distancë të madhe nga partitë e tjera politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve preliminare ka marrë rreth 48 për qind të totalit të votave, por kjo nuk ia siguron formimin e institucioneve të vendit pa probleme.
Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ketë 61 deputetë që të mund të zgjedhë kryeministrin e qeverisë së re, por i duhen së paku 2/3 e 120 deputetëve në Kuvendin e Kosovës që ta zgjedhë presidentin e vendit.
Zgjedhja e presidentit kërkon 2/3 e votave të Kuvendit në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë është e nevojshme që kandidati t’i ketë 61 vota por që në Kuvend të jenë të pranishëm mbi 81 deputetë e kjo duket të jetë problematike për Lëvizjen Vetëvendosje.
Ky subjekt politik ka deklaruar se është e gatshme që e vetme t’i formojë institucionet e vendit por do të hasë në probleme në votimin e presidentit, gjë që mund të shkaktojë një ngërç të ri politik.
Por, cili do të jetë epilogu i gjithë kësaj? Opinioni publik shpesh ka aluduar në mundësinë e mbajtjes së një palë zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë për arsye se ngërçi dhe problemet politike nuk do të mund të kalohen ndryshe.
Lidhur me këtë çështje, studuesi i filozofisë dhe shkencave politike, Ridvan Emini në një prononcim për lajmi.net është shprehur se është e mundur të ketë edhe një palë zgjedhje parlamentare brenda këtij viti.
Sipas Eminit, pavarësisht që LVV ka dalë bindshëm e para në zgjedhjet e 14 shkurtit, çështja e presidentit mund ta dërgojë vendin përsëri në zgjedhje.
“Konsideroj se është e mundur që të ketë zgjedhje të reja parlamentare sërish brenda vitit kalendarik. Pavarësisht që Lëvizja Vetëvendosje ka dalur subjekti i parë me një epërsi të lartë ndaj subjekteve të tjera, ndoshta pas numrimit të të gjith votave, mund ti ketë 59 deputet, por qështja e Presidentit është ajo që mund të na dërgoj sërish në zgjedhje ani pse, ndoshta në zgjedhje mund te na dergoj edhe qështja e kryeministrit, pra nëse Albin Kurti bëhet kryeministër para shtatorit të këtij viti, subjektet tjera mund ta dërgojn në Gjykatë Kushtetuese qështjen dhe përfundimisht të shkojmë në zgjedhje.”, tha Emini.
Emini thekson se mundësia e koalicionit të ri është ajo ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke shtuar se sfidë për qeverinë e re do të jetë Lista Serbe.
“Gjasat për ndonjë koalicion me PDK apo LDK janë të vogla, por me AAK është shum e mundur të krijohet qeveria e re, pra një koalicion mes LVV-AAK. Nga ana tjetër një sfidë për qeverinë e re duket se do të jetë Lista Serbe, e cila tani më mund të bllokoj çdo projekt-ligj me votat e saja duke përdorur veton e saj. Nëse është kritikuar në të kaluarën se Lista Serbe dikton politikbërjen në Kosovë, tani realisht ka fuqinë për te diktuar atë, por mbetet ta shohim si po rrjedhin ngjarjet tutje.”, tha Emini.
Në anën tjetër, analisti politik Rasim Alija në një prononcim për lajmi.net është shprehur se ekzistojnë disa skenare sa i përket sfidës post-elektorale të partive politike në Kosovë.
Alija thekson se në skenarin e parë LVV me votat e diasporës do të kalojë numrin e 61 mandateve dhe kështu do të jetë e mundur të krijohet mazhoranca dhe zgjedhja e qeverisë.
“E para është që ka skenarë të ndryshëm sa i përket kësaj. Skenari i parë është që LVV ta fitojë numrin e 61 mandateve së bashku me disa mandate nga minoritetet që flitet 2 ose 3 mandate që mund t’i bashkohen Vetëvendosjes për krijimin e mazhorancës dhe në këtë variant themelimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk është problematike.”, tha Alija.
Tutje, si skenar të dytë ai thotë se zgjidhja e presidentit do të jetë shumë problematike ani pse sipas tij, parti të tjera politike mund të qëndrojnë në sallë për t’ia bërë kourumin Vjosa Osmanit që të zgjidhet presidente.
“Skenari i dytë është zgjedhja e presidentit që mund të jetë mjaft problematike në kuptimin që subjektet politike kanë qëndrime dhe mendime të ndryshme madje jo vetëm subjektet politike por edhe vet brenda llojit të tyre, shembull ka zëra që deputetë të LDK-së ka gjasa të qëndrojnë në sallë dhe ta mundësojnë kourumin por ka të tjerë që mendojnë se LDK nuk duhet të rrijë në seancë dhe pastaj çështja e votimit dhe mosvotimit është çështje tjetër. Pra është edhe ky skenari që ka gjasa që parti të caktume të qëndrojnë në Kuvend por të mos e votojnë kandidaturën e Vjosa Osmanit.”, tha Alija.
Më tutje, në skenarin e tretë ai thotë se LVV në rast të pamundësisë për zgjedhjen e presidentit do të ketë të pamundur t’i shpëtojë zgjedhjeve të reja nëse nuk ka emër tjetër për president ose nuk bën marrëveshje me partitë e tjera politike.
“Skenari i tretë është pjesa ku potencialisht në momentet e fundit ka manovrime me emër tjetër për kandidat për president dhe duket se në rrethana të tilla kur certifikohet rezultati zgjedhor mund të ndodh, ne ende nuk i dijmë rezultatet e sakta dhe mandatet e sakta që i ka LVV-ja por duket problem votimi i presidentit por në anën tjetër është LVV që e kemi parë se nuk ka bërë thirrje të paktën ose nuk ka dëshmuar vullnet që të ulet me subjekte të tjera politike si LDK, PDK ose AAK dhe të gjejnë një kompromis për votimin e kandidaturës për president dhe besoj kjo do të jetë goxha sfiduese në kuptimin e zgjidhjes së presidentit.”, tha Alija.
Krejt në fund ai thotë se zgjedhjet e reja do t’i konvenonin përsëri Lëvizjes Vetëvendosje e cila do të ndërtonte një narracion tjetër ku do të thoshte se partitë e tjera politike nuk po e lejojnë të frymojë vullneti i sovranit.
“Në vija të trasha ose si rikapitulim i gjithë kësaj, konstituimi i Kuvendit dhe votimi i qeverisë nuk do të jenë problem sepse LVV e vetme mund t’i bëjë të dyja, por kur vie fjala te zgjidhja e presidentit ose presidentes unë e shoh si problem dhe kjo çon te nevoja që LVV të bëjë marrëveshje me dy subjekte të tjera politike që të sigurojë kourumin e mjaftueshëm dhe në të kundërt janë zgjedhjet e tjera si pasojë e mos-zgjedhjes së presidentit mirëpo besoj që zgjedhjet e reja do t’i konvenonin edhe më tutje Lëvizjes Vetëvendosje dhe krijimin e një narracioni nga LVV që subjektet tjera politike nuk po e respektojnë vullnetin e sovranit dhe po na detyrojnë të shkojmë në zgjedhje edhe njëherë.”, tha Alija në fund.
Kështu, mbetet të shihet se çfarë do të ndodh pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe cili do të jetë epilogu i një sfide të re të krijuar nga zgjedhjet e fundit parlamentare.