Këshilli i punëve të jashtme të Senatit amerikan para disa ditëve njëzëri e përkrahu ratifikimin e Protokolit mbi hyrjen e Malit të Zi në NATO, lajmëruan mediat amerikane. Mirëpo, si duket ka ardhur deri te ndryshimi i papritur për çka Mali i Zi mund të mbetet para dyerve të Aleancës.
Protokoli mbi hyrjen ishte në rend të ditës së Senatit të hënën dhe të martën, dhe kishte mundur të votohet njëzëri, me aklamacion, sepse nuk kishte kohë për deklarim të senatorëve. Arsyeja për këtë ishte gjoja administrata në largim e Barak Obamës ka dashur të shtyjë ratifikimin para se Donald Trump edhe zyrtarisht merr detyrën e presidentit, para se gjithash për shkak të qëndrimit të tij ndaj Aleancës.
Senatorja Jean Shaheen ka propozuar që sa më parë të votohet mbi rezolutën në Senat, para shpërbërjes së Kongresit dhe ardhjes në detyrë të administratës së Donald Trump’it.
Mirëpo, një senator, nga arsyet deri tani të panjohura, nuk u pajtua dhe refuzoi të përkrahë ratifikimin, prandaj për momentin çdo gjë është shtyrë. Ky lajm është mjaft befasues, duke marr parasysh përpjekjet e SHBA’ve që të shpie Malin e Zi në NATO.
Ekzistojnë tri arsye për shkak të cilave ka mundur të ndodh ky ndryshim:
- Arsyeja më pa dhimbje do të ishte ajo e natyrës teknike, dhe se problemi vërtet është vetëm te një senator. Nëse kjo është e vërtet, kjo situatë do të zgjidhet shumë shpejtë, dhe Mali i Zi do të jetë më afër hyrjes në NATO. Në Senatin amerikan jo rrallë ka ndodhur që një apo dy senatorë për ndonjë parim të tyre apo ndonjë arsye tjetër kanë refuzuar të pajtohen me shumicën absolute, por me ta gjithmonë është gjetur kompromisi në mënyrë që situata shumë shpejt të “hekuroset”.
- Arsyeja e dytë është më serioze. Me këtë do të ishte kuptuar se në SHBA ka ardhur deri te rishqyrtimi, para se gjithash që Washington’i të pres e të shiqojë se si do të funksionojë Mali i Zi pa Milo Djukanovic’in në krye, gjegjësisht a do të mbetet udhëheqës nga hija i politikës malaziase, ose ky vend adriatik do të tërheqë lëvizjet e reja. Megjithatë, në kohën e qeverisjes së Djukanovic’it është dakorduar hyrja e Malit të Zi në NATO, dhe ndoshta Washington’i do të dëshironte që të bindet se ky shtet do të mbetet në kursin e njejtë edhe pa Djukanovic’in.
- Teoria më atraktive, pa dyshim është se pas bllokimit të ratifikimit të Protokolit gjendet boshti Donald Trump-Vladimir Putin. Arsyeja mund të jetë dëshira e administratës në ardhje që të mos i nervozojë rusët. Për simpatitë e Trump’it ndaj Putin’it po flitet tashmë një vit, e presidenti i zgjedhur i SHBA’ve ato i vërteton çdo ditë me lëvizjet dhe deklaratat e veta.
Vërtetimi i fundit është ai që për shef të diplomacisë e zgjodhi Rex Tillerson’in, magnatin e naftës i cili është bartës i dekoratës ruse, dhe llogaritet si njeriu me lidhje miqësore në Kremlin. Rusia shumë shpesh ka shprehur pakënaqësinë me iniciativën që Mali i Zi t’i bashkangjitet Aleancës, për të cilën kohë më parë ka folur edhe shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov, duke pretenduar se “Podgorica po shtyhet me dhunë në NATO”./gazetametro.net
