Vedat Muriqi ishte thjesht i pandalshëm të dielën në ndeshjen e Mallorcas kundër Real Madrid. Ai ishte një nga më meritorët që në fund ‘Ishullorët’ siguruan tre pikët në një sfidë tejet interesante. Ndërsa, tashmë është publikuar një video përmbledhje e asaj se çfarë impakti kishte sulmuesi kosovar për 90 minuta, transmeton Gazeta Metro.
Muriqi që po kalon në një ‘mini-krizë’ të golave në vitin 2023, ishte shumë afër të dielën të zhbllokohej ndaj skuadrës që i kishte realizuar në ‘Santiago Bernabeu’ këtë edicion.
Ai u mendua se e përsëriti edhe njëherë tjetër këtë dhe tani në ‘Son Moix’.
Por, La Liga vendosi që goli i fitores së Mallorcas t’i regjistrohej autogol i Nacho Fernandez, pasi ishte spanjolli që e kishte prekur topin e fundit.
Megjithatë, kjo nuk e zbehu aspak paraqitjen e mrekullueshme të tij. Vedat Muriqi ishte pothuajse në çdo cep të fushës dhe me shumë të drejtë u zgjodh ‘MVP i ndeshjes’.
Ai i ndihmoi shumë skuadrës së tij në fazën e mbrojtjes, gjë të cilën është i detyruar ta bëjë si shpesh sepse loja që e aplikon trajneri Javier Aguirre është e tillë.
Gjiganti ‘dardan’ u përballë disa herë në ajër me Antonio Rudiger, i cili shquhet në këtë aspekt dhe jo në pak raste doli fitues.
Kontributi i tij në mbrojtje shihet nga fakti se për 90 minuta spastroi katër topa nga zona dhe bllokoi një goditje. Jo pak e rëndësishme është që u detyrua të shkaktoi edhe tre ndërhyrje të palejuara marrë parasysh që është sulmues.
Me pak fjalë, Muriqi edhe pse nuk arriti të gjejë golin as në paraqitjen e gjashtë radhazi në La Liga, siç duket është kthyer përsëri në formë të mirë. Ndoshta, ka ndikuar biseda me Javier Aguirre.
Të shtunën Mallorca përballet në ‘Ramon Sanchez Pizjuan’ kundër Sevillas. Skuadra andaluziane çuditërisht ka befasuar për të keq këtë sezon.
Rekordmeni i Europa League gjithashtu është një nga klubet që ka pësuar më së shumti gola në shtëpi gjatë këtij edicioni (12). Pra, mundësi e mirë që sulmuesi nga Prizreni t’i tund rrjetën. /gazetametro.net
Muriqi vs Vardrid 😱pic.twitter.com/q3FLALsOUI
— ر (@MadridXrta) February 8, 2023