Loading…

A po shkojmë drejtë një krize tjetër: Përfundon afati i aplikimit për zgjedhjet në veri, Lista Serbe nuk është certifikuar

  • 22/03/2023 | 16:40

A po shkojmë drejtë një krize tjetër: Përfundon afati i aplikimit për zgjedhjet në veri, Lista Serbe nuk është certifikuar

Ka mbaruar afati për aplikim i partive politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në  zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në veri të vendit, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por ajo që mund të na dërgoj drejt një krize të re është mos certifikimi dhe refuzimi i Listës Serbe që të marrë pjesë në këto zgjedhje, shkruan Gazeta Metro.


Siç ka njoftuar KQZ, as gjatë periudhës 14 ditore ky institucion nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik.

Duhet theksuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.
Dorëheqje kanë dhënë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale janë shpallur fillimisht për 18 dhjetor 2022, por, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, janë shtyrë vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së tyre.

Lista Serbe, edhe atëherë, ka refuzuar pjesëmarrjen, edhe pse Qeveria e Kosovës ka pezulluar vendimin për riregjistrimin e veturave, në bazë të një marrëveshjeje me Serbinë.

Refuzimi i Lista Serbe vazhdon pasi tanimë ka kërkesat e saj si kusht për të marrë pjesë në zgjedhje, e që janë: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Njoftimi i plotë:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur  afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në  zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok  dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 mars – 22 mars 2023), KQZ-ja nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik.

Njoftim shtesë: Nga 9 deri më 13 mars 2023, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar në  nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit, kanë  konfirmuar certifikimin e mëhershëm dhe të njëjtit nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikim  nga fillimi, me përjashtim të udhëzimeve të dhëna nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe  Kontroll Financiar të Subjekteve Politike./gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë