Presionet politike dhe financiare të kancelarive të mëdha ndërkombëtare, derisa Kurti po bën gjezdi turistike nëpër simpoziume verore në Greqi, kohëve të fundit janë bërë më të ashpra dhe kryeministri në detyrë nuk do të mund të mbijetojë vazhdimin e izolimin shumëvjeçar nga kontaktet me liderët e vendeve aleate, e as sankcionet e reja financiare ndëshkuese për shkak zë padëgjueshmërisë dhe arogancës në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që prej kohësh i ka pranuar. Tash i thonë – zbatoji!
Shkruan Shkëlzen Maliqi
Për herë të parë pas tri palë zgjedhjeve,Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, e ka nisur procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore me gjuhë dhe procedurë normale, që të le të kuptosh se është i interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje që nuk çon në përsëritje të zgjedlhjeve.
Edhe dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, po kështu po tregohen të kujdesshme që as ato të mos lënë përshtypjen e faktorëve bllokues rreth arritjes të marrëveshjeve për zgjedhjen e president-it/es, e as për krijimin e qeverisë.
Mirëpo, kjo zbutje e përgjithshme e fjalorit nuk do të thotë se marrëveshjet do të arrihen lehtë, vetëm se kornizat e (mos)pajtimeve janë bërë të qarta dhe më vështirë të manipulueshme.
Bedri Hamza, pas takimit me Kurtin deklaroi se nuk do të jetë pjesë e qeverisjes. PDK-ja mbetet në opozitë, por është për krijimin e institucioneve duke e kushtëzuar Vetëvendosjen që të mos llogarit në prezencën ose votën e deputetëve të kësaj partie për zgjedhjen e president-it/-es, nëse nuk propozohet ndonjë personalitet koncesual, pra që nuk e ka pëlqimin paraprak të PDK-së
. Kjo, më sa është kuptuar, nuk do të thotë që kandidat-i/-ja të jetë patjetër dikush që e propozon PDK-ja, mund ta propozojnë edhe partitë tjera, por duhet të jetë person me integritetit, autoritet dhe kompetenca që gëzojnë përkrahje të gjërë.
President-i/-ja është përfaqësues i të gjithëve, mbi qeverinë, garant-e e funkcionalitetit të institucioneve të shtetit, dhe këtë më në fund e pranoj edhe vetë Kurti, kur e tha publikisht se e vetmja çështje koncesuale është ajo e president-it/-es, sepse qeverinë mund ta krijojë edhe vetë VV-ja me partitë e pakicave jo-serbe, ose edhe me partneritet eventual me LDK-në, nëse kjo parti heq dorë nga Vjosa Osmanit si kandidate për presidente, që edhe ashtu nuk besohet se e gëzon përkrahjen e PDK-së, e as të VV-së.
Abdixhiku i LDK-së si duket po mendohet që të negociojë pjesëmarrjen në qeverisje por kjo është për momentin çështje dytësore në procesin e evitimit të përsëritjes të zgjedhjeve, sepse pa koncensusin për president-e, kot zgjidhet qeveria, pasi që pa merrëveshje presidenciale shkuarja në zgjedhje bëhet e pashmangshme.
Abdixhiku edhe mund të synojë hyrje në qeveri, por është e paqartë a shpëton kjo nga nisma e një pjese të partisë, e cila kërkon që ai të largohet nga drejtimi i partisë. Kjo situatë e brendshme në LDK mbase është arsyeja pse pas bisedimeve dy orëshe me Abdixhikun dhe Osmanin, Albin Kurti paralajmëroi se krijimi i institucioneve të reja do të jetë “ndërmarrje e madhe dhe e gjërë”, me koncesione të konsiderueshme dhe jo të zakonshme nga ana e tij, për të cilat është i detyruar sepse nuk ka më alibi për paaftësinë e kapitalizimit edhe të fitores të tretë të bindshme në zgjedhjet, ku në ato të fundit me 7 qershor, megjithatë e morri një flakaresh nga bojkoti i elektoriatit, që ia zbriti numrin e votusëve për rreth 104 mijë votues (nga 486 mijë në 382 mijë!), dhe edhe me përqindje kishte ulje nga 51 % në 47 %, që si trend e tremb sepse qeverisja e tij e papërgjegjshme dhe me mbajtjen e posteve “në detyrë” i ngjanë ecjes që nuk çon akund, e dëmton rëndë funkcionimin e shtetit dhe të ekonomisë, nuk mund të mbahet pushteti vetëm me marifete, blerje të përkrahjes me paranë publike dhe me propagandë! Kriza i troket Kurtit në çdo sferë të jetës!
Është edhe një element tjetër brengosës për Kurtin, që nuk është publikisht i dukshëm sa dikur, kur faktorët ndërkombëtarë ndërhynin hapur në proceset politike në Kosovë, – ambasadat dhe delegacionet e huaja nuk po e mshefin më pakënaqësinë me obligimet ndërkombëztare që i ka marrë qeveria Kurti me pranimin e Marrëveshjes të Ohrit dhe të Brukselit, me të cilat nuk mund të luhet dhe taktizohet si me obligimet kushtetuese dhe ligjore të brendshme.
Presionet politike dhe financiare të kancelarive të mëdha ndërkombëtare, derisa Kurti po bën gjezdi turistike nëpër simpoziume verore në Greqi, kohëve të fundit janë bërë më të ashpra dhe kryeministri në detyrë nuk do të mund të mbijetojë vazhdimin e izolimin shumëvjeçar nga kontaktet me liderët e vendeve aleate, e as sankcionet e reja financiare ndëshkuese për shkak zë padëgjueshmërisë dhe arogancës në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që prej kohësh i ka pranuar. Tash i thonë – zbatoji!
Së fundi, Kurti e ka edhe një ftesë disa herë të përsëritur, të cilave nuk iu është përgjigjur, për të dëshmuar në prokurorinë e Kosovës për aferën e madhe të korrupcionit me rezervat shtetërore.
Në demokraci askush nuk është mbi ligjin, apo jo?
Sipas mendimit tim modest, edhe pse thirrjet për të dëshmuar në prokurori për të gjithë qytetarët janë të detyrueshme, i kisha këshilluar prokuroret e rastit që të bëjnë përjashtimin për qytetarin Albin Kurti, – e gjejnë mbase në zyre kur po kthehet nga pojesëmarrjet nëpër simpoziume. Le ta vizitojnë ata Kurtin në zyren nga ku ai qeverisë me vendin, për t’ia bërë një pyetje të tjeshtë: “I kujt është nënshkrimi në dokumentin (ja tregojnë dokumentin e vulosur) me të cilin është autorizuar blerja e mallrave për plotësimin e rezervave shtetërore me të cilin rast janë shpërdorur rreth 3 miliona euro?
Një minut kohë mund ta gjej kryeministri Kurti që të sqarohet me prokuroret dhe opinionin?