Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ‘qyfyret’ e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk kanë të ndalur. Sipas AAK’së, Vucic dhe qeveria e tij përveç se po sajojnë e trillojnë akuza kundër figurave qëndrore politike ne Kosovë, ata po i japin të drejtën vetes që të bëjnë shpifje për AAK-në.
“Le që ai dhe Qeveria e tij, sajojnë e trillojnë akuza kundër figurave qendrore politike në Kosovë, në kohën kur i bëjnë 100 marifete për të asgjësuar dëshmitë e krimeve të politikanëve serbë kundër shqiptarëve, por i japin të drejt vetës që të bëjnë shpifjet më ordinere për Kosovën dhe për AAK-në, si parti politike”, thuhet në komunikatën e AAK’së për media.
AAK ia bën me dije Vuçiqit se AAK-ja është parti politike e regjistruar në Kosovë e jo në Serbi, për të shtuar se Kosova është shtet i pavarur dhe se nuk e ka ndërmend ta pyes kryeministrin serb se kur dhe si do ta pres një kryeministër të një shteti sovran.
AAK thotë se Vuçiqi duhet të hetojë 110 zyrtarët serbë që asgjësuan dëshmitë për krime lufte në Kosovë.
“Kosova po ashtu është shtet i pavarur dhe nuk e ka ndërmend ta pyes Aleksandër Vuçiqin, se kur dhe si do ta pres kryeministrin e një shteti sovran, siç është edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. Vuçiq është mirë t’i hetojë 110 zyrtarët serbë se si i asgjësuan dëshmitë për krime lufte në Kosovë, e të mos merret me AAK-në e me Kosovën, sepse shpija ka zot”, thuhet në komunikatën e AAK-së./gazetametro.net