Diskutimi se a është “Open Ballkan” një devijim i integrimit në Bashkimit Evropian apo një nismë që përshpejton përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BEsë, bëri bashkë Kyeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazovic.
Zyrtarë nga tri vendet që nuk e kanë mbështetur Ballkanin e Hapur diskutuan rreth nismës në një konferencë online të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti i Oxford.
Kryeministri Kurti tha se Kosova e mbështet procesin e Berlinit, aty ku të gjitha vendet janë të barabarta.
“Çdo iniciativë duhet t’i përshtatet axhendës së Europës, të operojë me rregullat e Evropës, dhe të na sjellin më pranë anëtarësimit të Evropës. Në mbajmë procesin e Berlinit si të vetmen kornizë në të cilën ka shumë iniciativa. Kemi mbështetur procesin e Berlinit do të vazhdojmë të mbështesim procesin e Berlinit ku të gjitha vendet janë njësoj të barabarta”, tha Kurti.
Por zëvendëskryeministri Dritan Abazovic, nuk e sheh “Open Ballkans” si një nismë që pengon integrimin në BE.
“Synimi i Malit të Zi është t’i bashkohet BE-së, ne nuk po kërkojmë diçka që i ngjan BE-së, çdo gjë që ngjan si zëvendësim i saj është i rrezikshëm për vendin. Por gjithsesi nuk e shoh “Open Ballkan” si një mënyrë që mund të shkatërroje këtë synim. Po e shoh në një mënyrë tjetër që mund të ndihmojë në integrimin europian. Sepse kemi nevoje të rrisim besimin, te kemi më shumë sukses, dhe që të mos ketë shumë barriera”, tha Abazovic.