Një ditë para mbajtjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, Lumir Abdixhiku i LDK-së pritet të mbledhë grupin parlamentar të partisë, shkruan Gazeta Metro.
Siç raportojnë mediat, ky takim do të mbahet për të diskutuar hapat e mëtejmë para seancës, ndërsa diçka zyrtare nuk ka akoma.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet që këtë të mërkurë të mbledhë Grupin Parlamentar të partisë.
Këtë thirrje si normale e ka parë deputetja e zgjedhur e LDK-së, Albena Reshitaj.
“Tani është hera e parë që unë marr pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së, të shohim se si do të shkojë e gjithë mbledhja dhe besoj se pas saj do të jepet qëndrimi. Normalisht nesër është seanca e parë e Kuvendit për konstituimin e Kuvendit dhe është shumë normale me pas një mbledhje, një takim pune para seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, të martën një takim treorësh mbajtën Albin Kurti e Lumir Abdixhiku, të cilët nuk arritën që të lidhin bashkëpunim për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kurti, pas takimit me Lumir Abdixhikun, Lutfi Hazirin e Vjosa Osmanin, tha se gjatë takimit janë diskutuar mundësitë që janë përpara dhe nevoja për një marrëveshje që, sipas tij, duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ta shndërrojë atë në stabilitet institucional.
E Lumir Abdixhiku deklaroi se LDK nuk e do postin e kryeparlamentarit, këtë që e quajti ceremonial.
Ndërkaq, vetëm pasi të konstituohet Kuvendi fillon procesi i rrjedhjes së afateve për zgjedhjen e Qeverisë dhe Presidentit, që do të thotë se 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas burimeve të Klan Kosovës, në këtë takim pritet të diskutohen hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren para seancës së nesërme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, gjatë pasdites së djeshme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një takim që zgjati rreth tri orë. Megjithatë, takimi nuk solli ndonjë marrëveshje konkrete, pasi të dy liderët deklaruan se ende nuk ka një dakordim.
Kurti pas takimit u shpreh se diskutimi ishte i dobishëm dhe se mbetet i gatshëm për të vazhduar bisedimet me qëllim tejkalimin e ngërçit politik. Të njëjtin qëndrim e përcolli edhe LDK-ja, duke bërë të ditur se dialogu do të vazhdojë.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar, i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse. Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh. /gazetametro.net/