Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka thënë se kosovarët do t’i marrin vizat, sepse Kurti ka lëshuar pe për Asociacionin, shkruan Gazeta Metro.
Në një shkrim në Facebook, Abdullahu ka thënë se vizat për kohë të gjatë kanë qenë tundim politik për Kosovën.
Ai ka thënë se po të bëheshin dje lëshimet që sot po i bën Kurti për Asociacionin ne do t’i kishim vizat.
“Mungesa e tyre është diskriminim socio-politik (deri në racizëm) që ka bërë Brukseli kundër qytetarëve të Kosovës. Tash disa vite Kosova i ka përmbushur kushtet e BE-së për vizat. Përkundër kësaj vizat nuk na janë dhënë. Arsyeja kryesore ka qenë se BE në ofertën e saj politike ‘shkopi dhe karota’ vizat i ka trajtuar karotë speciale. Vizat BE për Kosovën i ka kthyer në ‘xhoker politik’ – të përshtatshme për gjithkënd, për çdo gjë. Po të bëheshin dje lëshimet që sot po i bën Kurti për Asociacionin ne do t’i kishim vizat. Por ato lëshime dje nuk janë bë. Edhe kur janë bë Gjykata Kushtetuese i ka përmirësu. Ndërsa Kurti po i bën lëshimet sot prandaj do t’i marrim vizat”, ka shkruar Abdullahu.
Komisioni për liritë qytetare, punë të brendshme dhe drejtësi i Parlamentit Evropian, ka miratuar dje edhe një herë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi një gjë të tillë, para disa javësh, e kishin miratuar edhe ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Në muajin prilll, eventualisht në maj, pritet të miratohet edhe në seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Pas kësaj, vendimi do të nënshkruhet dhe botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, do të përmbyllet i tërë procesi formal.
Nuk ka pasur asnjë ndryshim në tekstin e vendimit.
Pra, sipas asaj që ishin marrë vesh qysh në vitin e kaluar përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ky vendim do të hyjë në fuqi në kohën kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i regjistrimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS), apo jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Pasi afati për hyrje në fuqi të ETIAS-is është shtyrë për vitin 2024 dita e parë e këtij viti, pra 1 janari i vitit 2024, realisht pritet të jetë edhe dita prej së cilës qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen. /gazetametro.net