Ministri i Punës dhe Mirëqenjes Sociale, Arban Abrashi ka thënë se rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, janë inkurajuese.
Abrashi ka thënë se papunësia nga 35.3 përqind sa ishte në vitin 2014 këtë vit del të jetë 26.2 përqind.
“Dje janë publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore nga ASK-ja për gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe rezultatet janë vërtetë inkurajuese. Sipas Agjencisë së Statistikave, në vitin 2014 papunësia në Kosovë ishte 35.3%, në vitin 2015 ishte 32.9%, ndërsa për këtë vit, deri më tani, del të jetë 26.2%”.
“Krahasuar me 2014, vetëm dy vite më parë rezulton që këtë vit kemi një rënie impresive të papunësisë prej 9.1 %. Ky rezultat është vërtetë inkurajues sepse tregon një trend të rënies së papunësisë përgjatë tërë vitit 2016 (TM1 2016 27.7%, TM2 2016 26.2%”, ka shkruar Abrashi.
Ai ka thënë se kjo rënie e papunësisë është më e ulëta në pesë vitet e fundit.
“Dhe jo vetëm kaq, kjo rënie e papunësisë është më e ulëta në pesë vitet e fundit në vendin tonë. Duke filluar prej vitit 2012 e deri me 2015, papunësia në Kosovë asnjëherë nuk kishte pësuar rënie nën 30%. Viti 2016 shënon herën e parë që papunësia bie nën këtë nivel, duke arritur në 26.2%”.
Abrashi ka thënë se janë të vetëdijshëm për problemet ende të shumta, por me këtë trend të rënies së papunësisë, me buxhetin që për herë të parë e arrin shifrën prej dy miliardë eurosh dhe me rritjen e përgjithshme të zhvillimit ekonomik në rreth 4%, këto trende pozitive vetëm sa do të vazhdojnë të rriten duke rritur kështu zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve tanë./gazetametro.net