Loading…

Acarimi i Vjosa Osmanit me Valdete Dakën nisi që para shpalljes së zgjedhjeve

  • 24/01/2021 | 17:43

Acarimi i Vjosa Osmanit me Valdete Dakën nisi që para shpalljes së zgjedhjeve

Vjosa Osmani ka kohë që nuk pajtohet me Valdete Dakën. Dje ajo paralajmëroi masa ndaj institucionit që i organizon zgjedhjet, ndërsa u raportua se si ushtruese e detyrës së presidentes mund t’i shkojë mendja edhe ta shkarkojë nga detyra kryetaren e KQZ-së. Osmanit s’i ka pëlqyer jo vetëm moscertifikimi i listës së kandidatëve të LVV-së për deputetë që janë dënuar në 3 vitet e fundit, përfshirë Albin Kurtin. U.d. e presidentes ishte irrituar nga deklaratat e Dakës që para se ta shpallte datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.


Në emër të mbrojtjes së integritetit të KQZ-së, Vjosa Osmani mund ta shkarkojë kryetaren e këtij organi, Valdete Daka. Me një adresim të pazakontë, Osmani të shtunën paralajmëroi të ndërmarrë masa, ndërsa u raportua se ligji për zgjedhjet e përgjithshme i jep asaj të drejtë që ta shkarkojë nga detyra kryetaren e KQZ-së.

“Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ-në për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, tha Osmani.

Mbledhjen e gjatë të KQZ-së të premten, ku në fund u vendos që të mos certifikohet lista e LVV-së ku bën pjesë edhe vetë, Osmani e cilësoi të pahijshëm, duke thënë se drejtorit të Zyrës për Certifikimin e Subjekteve Politike iu bë presion, shkruan Express.

“Ajo çfarë kemi parë dje në KQZ ka qene paprecedentë, e pahijshme dhe e papranueshme për një institucion që duhet të bëj çmos që ta mbrojë integritetin. Në transmetime të drejtpërdrejte u bë presion marramendës ndaj drejtorit të Zyrës për Certifikimin e Subjekte Politike”, tha Osmani.

Ajo vlerësoi se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka duhet ta përmbush detyrimin e saj ligjor ashtu siç është betuar, gjë të cilën Daka tha se po e bënte të premten gjatë mbledhjes në KQZ, ku kërkoi dokumente shtesë nga Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike, duke përmendur rrezikun se mund ta shkelin ligjin dhe Kushtetutën.

Lidhur me deklaratat e Osmanit, Express ka provuar të marrë një qëndrim nga Valdete Daka, por kryetarja e KQZ-së nuk ka qenë e qasshme, duke mos u përgjigjur as pyetjeve me shkrim të gazetës.

Kur dhe si nisi acarimi i Vjosa Osmanit me Valdete Dakën?

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, para se ta caktonte datën e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk donte ankesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve, të cilat ajo do t’i shpallte sapo t’i mbërrinte në zyrë aktgjykimi i plotë Gjykatës Kushtetuese.

Osmani më 22 dhe 23 dhjetor i kishte takuar ndaras përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar lidhur me datën më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Për ditën e zgjedhjeve, ajo nuk kishte diskutuar me KQZ-në, ndërsa kryetarja e organit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, Valdete Daka kishte thënë për Express se Osmani do të duhej të konsultohej edhe me ta.

Daka shpresonte që Osmani ta kishte parasysh kërkesën e KQZ-së dhe ta shfrytëzonte afatin maksimal kushtetues për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Po tash natyrisht që edhe KQZ-ja duhet të konsultohet për afatet dhe datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne e dimë që është në diskrecion të ushtrueses së detyrës së presidentes që t’i shpallë zgjedhjet. Me siguri që ajo do t’i ketë parasysh të gjtiha kërkesat, si të partive politike, ashtu edhe kërkesën e KQZ-së”, kishte thënë Daka.

Shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, më 4 janar tha se do ta bëjë “në momentin që vjen aktgjykimi” sepse, siç tha, “shumica dërmuese e partive gjatë konsultimeve që i kishim kanë shprehur gatishmëri që në zgjedhje të shkohet sa më shpejt”. Me këtë rast, Osmani gjithashtu i kishte çuar mesazh KQZ-së që t’i organizojë zgjedhjet shpejt, ashtu siç kishte bërë në të kaluarën dhe i kishte kërkuar Valdete Dakës që të mos ankohej. Ajo kishte shtuar se në vend se të shpreh shqetësime, KQZ-ja duhet të punonte.

“Proceset e ndryshme që ekzistojnë brenda KQZ-së, që zakonisht mund të ketë ankesa që zgjasin shumë, janë të tilla, mirëpo nuk besoj që duhet të dëgjojmë ankesa. Nuk është hera e parë që KQZ-ja organizon zgjedhje brenda 40 ditësh, ka ndodhur edhe më herët. Ashtu siç i kanë bërë përgatitjet në të kaluarën dhe kanë dalë publikisht kanë folur me konfidencë të plotë që të gjitha përgatitjet do të bëhen dhe qytetarët do ta kenë mundësinë të votojnë dhe ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese, unë pres dhe kërkoj që KQZ-ja… Unë nuk besoj që duhet ta dëgjojmë KQZ-në tani duke shprehur shqetësime, por duhet ta shohim KQZ-në duke punuar dhe duke i bërë përgatitjet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve tanë por edhe atyre që jetojnë në mërgatë sa më shpejt që të jetë e mundur t’u ofrohet mundësia e votimit”, kishte thënë Osmani në “Kallxo.com”.

Në anën tjetër, Daka ishte shprehur se “në çfarëdo date që e caktojnë, ne do t’i organizojmë zgjedhjet”, por kishte shtuar se do të ishte më mirë t’u lihet më shumë kohë, duke kërkuar një mundësi që organizimi të bëhet sa më mirë.

“Normalisht se sa më shumë kohë që kemi, aq më shumë kemi mundësi t’i përgatisim zgjedhjet më mirë dhe t’ju japim hapësirë të gjithë qytetarëve të votojnë. Ne kemi obligim kushtetues t’i organizojmë zgjedhjet, mirëpo sa më shumë kohë që na lihet, është më mirë. Ne vetëm po kërkojmë që të na jepet një mundësi që sa më mirë t’i organizojmë zgjedhjet dhe ta kemi komoditetin e kohës”, kishte thënë Daka pë Express.

Osmani paraprakisht, ishte shprehur se “në kohë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk ka orar pune, punohet 24 orë”. Ndërkaq Daka, kishte thënë se ata gjithsesi do të punojnë jashtë orarit.

Të premten, KQZ-ja vendosi të mos i certifikojë listat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, pasi këto subjekte politike nuk i kishin zëvendësuar me emra tjerë kandidatët që ishin dënuar në 3 vitet e fundit me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata. Vëmendje të veçantë mori moscertifikimi i kandidatëve të LVV-së, përfshirë kryetarin e këtij subjekti politik, Albin Kurtin, ndërsa për këtë u dorëzua një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike rekomandoi të premten që të certifikohen në pako të gjithë kandidatët e të gjitha subjekteve politike, por një vendim i tillë u konsiderua se bie në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që urdhëroi rrëzimin e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Pjesë e rëndësishme e aktgjykimit të Kushtetueses u bë një konstatim në të, i cili në shumicën e rasteve u interpretua se ua ndalon kandidimin në zgjedhje të gjithë atyre që në 3 vitet e fundit janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata. Kështu e interpretuan edhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, që votuan për të mos i certifikuar listat që kanë kandidatë të dënuar në këtë mënyrë.

I painterpretuar, konstatimi i dytë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thotë: “Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovë”.

Partitë politike të cilave nuk u janë certifikuar listat e kandidatëve kanë mundësi ta apelojnë vendimin e KQZ-së, ashtu si atë të PZAP-së deri më 31 janar, kur përmbyllet periudha e ankesave, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

Pas PZAP-së, partitë mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë