Loading…

Acarimi i Vjosa Osmanit me Valdete Dakën, që përfundoj me shkarkimin e ish-kryetares së KQZ’së

  • 01/01/2022 | 08:20

Acarimi i Vjosa Osmanit me Valdete Dakën, që përfundoj me shkarkimin e ish-kryetares së KQZ’së

Me 14 qershor 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkarkoi nga detyra e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Dakën, me arsyetimin se ajo ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ’së, shkruan Gazeta Metro.


Shkarkimi i Valdete Dakës nga detyra e kryetares së KQZ’së, pasoi me pakënaqësitë që ishin shfaqur nga Lëvizja Vetëvendosjes (LVV), ndaj saj.

Pjesë e lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte edhe vetë Osmani me një listë të saj, zgjedhje këto që Daka akuzohej se kishte cenuar integritetin e tyre.

Në vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës thuhej se “Kryesuesja e KQZ’së me veprimet e saj, sidomos gjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cënuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-se, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, duke pamundësuar kështu balancën e nevojshme në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësuesve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, kryesuesja qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar ne përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve te këtij organi”, shkruan Gazeta Metro.

Reagimi i shoqërisë civile

Ndaj këtij vendimi kishte reaguar shoqëria civile, e cila e kishte cilësuar vendim të motivuar politikisht.

Sapo presidentja Osmani publikoi vendimin për shkarkimin e Valdete Dakes si kryetare e KQZ’së, reaguan organizatat e shoqërisë civile, të cilat vazhdimisht monitorojnë zgjedhjet në Kosovë.

Organizatat e shoqërisë civile kundërshtuan shkarkimin e Kryetares së KQZ’së, shkruan Gazeta Metro.

Sipas tyre ky ishte një vendim i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.

“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhej në reagimin e shoqërisë civile.

Sipas tyre, marrja e vendimit për shkarkimin e Valdete Dakës, në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale “përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve”, thuhej në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.

Valdete Daka ishte kryetare e KQZ’së që nga viti 2013.

Kur dhe si nisi acarimi i Vjosa Osmanit me Valdete Dakën?

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, para se ta caktonte datën e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk donte ankesa nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve, të cilat ajo do t’i shpallte sapo t’i mbërrinte në zyrë aktgjykimi i plotë Gjykatës Kushtetuese.

Osmani më 22 dhe 23 dhjetor të vitit 2020 i kishte takuar ndaras përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar lidhur me datën më të favorshme për mbajtjen e zgjedhjeve, shkruan Gazeta Metro. Për ditën e zgjedhjeve, ajo nuk kishte diskutuar me KQZ’në, ndërsa kryetarja e organit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, Valdete Daka kishte thënë se Osmani do të duhej të konsultohej edhe me ta.

Daka shpresonte që Osmani ta kishte parasysh kërkesën e KQZ’së dhe ta shfrytëzonte afatin maksimal kushtetues për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Po tash natyrisht që edhe KQZ-ja duhet të konsultohet për afatet dhe datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne e dimë që është në diskrecion të ushtrueses së detyrës së presidentes që t’i shpallë zgjedhjet. Me siguri që ajo do t’i ketë parasysh të gjitha kërkesat, si të partive politike, ashtu edhe kërkesën e KQZ-së”, kishte thënë Daka.

Shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, më 4 janar të vitit 2021 kishte thënë se do ta bëjë “në momentin që vjen aktgjykimi” sepse, siç tha, “shumica dërmuese e partive gjatë konsultimeve që i kishim kanë shprehur gatishmëri që në zgjedhje të shkohet sa më shpejt”. Me këtë rast, Osmani gjithashtu i kishte çuar mesazh KQZ’së që t’i organizojë zgjedhjet shpejt, ashtu siç kishte bërë në të kaluarën dhe i kishte kërkuar Valdete Dakës që të mos ankohej. Ajo kishte shtuar se në vend se të shpreh shqetësime, KQZ’ja duhet të punonte.

“Proceset e ndryshme që ekzistojnë brenda KQZ-së, që zakonisht mund të ketë ankesa që zgjasin shumë, janë të tilla, mirëpo nuk besoj që duhet të dëgjojmë ankesa. Nuk është hera e parë që KQZ-ja organizon zgjedhje brenda 40 ditësh, ka ndodhur edhe më herët. Ashtu siç i kanë bërë përgatitjet në të kaluarën dhe kanë dalë publikisht kanë folur me konfidencë të plotë që të gjitha përgatitjet do të bëhen dhe qytetarët do ta kenë mundësinë të votojnë dhe ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese, unë pres dhe kërkoj që KQZ-ja… Unë nuk besoj që duhet ta dëgjojmë KQZ-në tani duke shprehur shqetësime, por duhet ta shohim KQZ-në duke punuar dhe duke i bërë përgatitjet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve tanë por edhe atyre që jetojnë në mërgatë sa më shpejt që të jetë e mundur t’u ofrohet mundësia e votimit”, kishte thënë Osmani, shkruan Gazeta Metro.

Në anën tjetër, Daka ishte shprehur se “në çfarëdo date që e caktojnë, ne do t’i organizojmë zgjedhjet”, por kishte shtuar se do të ishte më mirë t’u lihet më shumë kohë, duke kërkuar një mundësi që organizimi të bëhet sa më mirë.

“Normalisht se sa më shumë kohë që kemi, aq më shumë kemi mundësi t’i përgatisim zgjedhjet më mirë dhe t’ju japim hapësirë të gjithë qytetarëve të votojnë. Ne kemi obligim kushtetues t’i organizojmë zgjedhjet, mirëpo sa më shumë kohë që na lihet, është më mirë. Ne vetëm po kërkojmë që të na jepet një mundësi që sa më mirë t’i organizojmë zgjedhjet dhe ta kemi komoditetin e kohës”, kishte thënë Daka.

Osmani paraprakisht, ishte shprehur se “në kohë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk ka orar pune, punohet 24 orë”. Ndërkaq Daka, kishte thënë se ata gjithsesi do të punojnë jashtë orarit.

Mos certifikimi i kandidatëve për deputetët

KQZ vendosi të mos i certifikojë listat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, pasi këto subjekte politike nuk i kishin zëvendësuar me emra tjerë kandidatët që ishin dënuar në 3 vitet e fundit me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata. Vëmendje të veçantë mori moscertifikimi i kandidatëve të LVV’së, përfshirë kryetarin e këtij subjekti politik, Albin Kurtin, ndërsa për këtë u dorëzua një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike rekomandoi që të certifikohen në pako të gjithë kandidatët e të gjitha subjekteve politike, por një vendim i tillë u konsiderua se bie në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që urdhëroi rrëzimin e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Pjesë e rëndësishme e aktgjykimit të Kushtetueses u bë një konstatim në të, i cili në shumicën e rasteve u interpretua se ua ndalon kandidimin në zgjedhje të gjithë atyre që në 3 vitet e fundit janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga gjykata. Kështu e interpretuan edhe shumica e anëtarëve të KQZ’së, që votuan për të mos i certifikuar listat që kanë kandidatë të dënuar në këtë mënyrë.

I painterpretuar, konstatimi i dytë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thotë: “Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovë”.

Emërimi i Kreshnik Radoniqit në krye të KQZ’së

Gjyqtari special i Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi, u emërua me 14 qershor kryesues i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas ndërprerjes së mandatit të kryesueses së deriatëhershme të KQZ’së, Valdete Daka.

Gjyqtari Radoniqi ka qenë kryetar i Gjykatës së Pejës nga viti 2016, pozitë të cilën e kishte dorëzuar pasi ishte angazhuar gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën e Apelit.

Sipas njoftimit të atëhershëm Presidencës, emërimi i gjyqtarit Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të sigurojë që integriteti i KQZ’së nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësojë mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.

Kreshnik Radoniqi si gjyqtar gjatë karrierës se tij ka shqiptuar edhe dënim me burgim të përjetshëm. Këtë dënim e ka shqiptuar kundër Naser Pajazitajt, të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazijat në bjeshkët e Strellcit. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë