Administrata e Biden po përgatitet të hënën të njoftojë se disa nga afganët e evakuuar në Kosovë dhe po qëndrojnë në bazën amerikane Bonstill, do t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të lidhjeve të dyshuara me talibanët dhe grupe tjera terroriste, përcjell Gazeta Metro.
Media amerikane Axios, ka raportuar se deri 16 refugjatë afganët që po qëndrojnë në kampin Bondsteel në Gjilan mund të iu ndalohet hyrja në SHBA.
Tutje thuhet se është hera e parë që administrata Biden ka refuzuar afganët që janë strehuar në Kosovë për verifikim shtesë përpara se t’u lejohet hyrja në SHBA.
Ky vendim rrjedh nga shqetësimet e sigurisë, ose identifikimi i lidhjeve të mundshme i këtyre refugjatëve me talebanët ose organizatat terroriste.
Departamenti i Shtetit po shqyrton dy opsione që afganëve t’u refuzohet hyrja, sipas burimeve me njohuri të drejtpërdrejta për planet.
Njëra, të punojë me talebanët për të lehtësuar kthimin e tyre në Afganistan.
Së dyti, t’i bindin vendet e tjera që t’i pranojnë ato.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i tha Axios se të gjithë afganët që u larguan mes tërheqjes kaotike të SHBA nga Kabuli gushtin e kaluar “duhet t’i nënshtrohen fillimisht një procesi shqyrtimi dhe verifikimi shumështresor, rigoroz”./gazetametro.net