Loading…

Afatizimi i dialogut, optimizëm për marrëveshje vitin e ardhshëm

  • 26/11/2022 | 21:10

Afatizimi i dialogut, optimizëm për marrëveshje vitin e ardhshëm

Insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të afatizohet marrëveshja me Serbinë deri në mars të vitit 2023 ka sjell optimizëm për arritjen e ujdisë për normalizim të marrëdhënieve vitin e ardhshëm.


Marrëveshja për targa, sipas njohësve të zhvillimeve politike, pritet të dinamizojë procesin e dialogut. Ata thonë se nëse ka vullnet dhe investim të aleatëve ndërkombëtarë mund të ketë lëvizje konkrete. Megjithatë, theksohet se dialogu është i brishtë dhe në çdo moment mund të bllokohet, pasi Serbia në thelb nuk po pranon ta njohë Kosovën.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se në kuadër të dialogut duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet teknike dhe të fokusohet tek ujdia finale.

“Problemi me targat e dëshmoi se sa i brishtë është i gjithë procesi i dialogut. Unë mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare do të punojë shumë që t’i parandalojë rastet e tilla në të ardhmen. Këto veç sa humbin kohë dhe energji nga synimi kryesor, i cili është arritja e marrëveshjes finale. Nëse ka vullnet, insistim dhe investim të madh të palëve, atëherë një marrëveshje mund të arrihet vitin e ardhshëm. Marsi duket shumë herët, pasi palët janë shumë larg njëra tjetrës. Por nëse aranzhohen të gjitha copëzat e mozaikut të madh dhe komplikuar të dialogut, atëherë mund të ketë një marrëveshje vitin e ardhshëm”, thotë ai.

Optimist se mund të ketë lëvizje pozitive për arritjen e marrëveshjes vitin e ardhshëm është, Gazmir Raci, ish-këshilltar i kryenegociatores së Kosovës për dialog, Edita Tahiri.

“Është shumë e rëndësishme që këtë dialog të përmbyllim brenda vitit të ardhshëm dhe ashtu ka qenë premtim i presidentit Biden se kjo çështje duhet të përmbyllet në mandatin e tyre”, thekson ai.

Në anën tjetër, Arbër Fetahu nga GLPS, thotë se ka potencial për dinamizim të procesit të dialogut, megjithatë thekson se gjithmonë ekziston mundësia për prolongim të procesit.

“Ka potencial për dinamizim, shtuar këtu edhe insistimin e ShBA-së që ky proces të vazhdojë me negociata intensive deri në arritjen e një marrëveshje… Pres një fillim të negociatave me një model ndryshe, një pikë të rendit ndryshe, i cili është normalizimi i marrëdhënieve të dy vendeve me një plan në tavolinë… Rreziku për prolongim, rreziku për stopim të negociatave dhe bllokada është i mundshëm, pasi Serbia në thelb nuk e pranon njohjen e Kosovës. Nëse ka elemente që vërtet nuk i pëlqejnë Serbisë dhe nuk i shkojnë përshtati mund të ketë bllokada të ndryshme”, thotë Fetahu.

Kosova dhe Serbia të mërkurën arritën marrëveshje për targa. Kjo marrëveshje sipas Kurtit nuk cenon substancën e shtetit.

Në kuadër të saj, dy palët u pajtuan që të angazhohen për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve në bazë të planit franko-gjerman. /kp

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë