Një opinion i shkruar për raportet dhe lidhja e shqiptarëve mes vete, e atyre të Kosovës dhe Shqipërisë, marrëdhëniet politike mes dy vendeve e deri tek padia e fundit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndaj homologut të tij kosovar, Ramush Haradinaj.
Shkruan: Uran Krasniqi
Dy kryeministrat, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Ramush Haradinaj, pritet të takohen në gjyq. Sebep është bërë një padi e Ramës ndaj Haradinajt për shpifje. Rama pretendon se Haradinaj ka thënë të pavërteta për poziciononin e tij përballë dialogut Kosovë-Serbi.
Mbase ka dy vite që Rama dhe Haradinaj kanë një raport me tension. Në fillim dukej mirë, ata takoheshin dhe fotografoheshin me duar të bashkuara mbi flamurin kombëtar, por relacioni nisi të krisej prejse Haradinaj i tha Ramës se duhet të preokupohet më shumë me Shqipërinë. Atë natë Rama shkoi në shtëpinë e Haradinajt, ku e pinë nga një gotë verë, por më pas, një ditë tjetër, Rama në një konferencë të përbashkët me Haradinajn tha se “kushdo që i thotë Thaçit tradhtar është gomar”. Dukej si mesazh indirekt për Haradinajn, i cili ani se nuk kishte përdorur fjalën tradhtar, ishte në ballë të kundërshtuesve të idesë së korrigjimit të kufijve me Serbinë, të cilën e prezantonte presidenti Hashim Thaçi.
Pas pak ditësh, Haradinaj tha se Rama është pjesë e një tavoline ku është hedhur ideja e ndarjes së Kosovës.
Ndërkohë një përplasje nga distanca është zhvilluar edhe për Samitin e dyshes Macron-Merkel, ku Haradinaj thoshte se është ballafaquar me presion të Ramës në sy të organizatorëve për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Rama e kishte mohuar, duke e quajtur si të pavërtetë.
Një rast për komunikim normal ishte në horizont kur tërmeti kishte goditur Shqipërinë, por Haradinaj tha se Rama nuk ia kishte hapur telefonin.
Haradinaj nuk kurseu Ramën lidhur me iniciativën e Mini-Shengenit, duke thënë se synohet heqja e taksës së Kosovës ndaj Serbisë, kurse Rama e quajti gënjeshtar.
Këtë të mërkurë mediet raportuan për padinë e ushtruar nga Rama për Haradinajn.
Vera e vitit që shkoi ka qenë e mbushur me akuza e kundërakuza mes protagonistëve politikë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Rama e Haradinaj në njërën anë dhe Thaçi e Berisha në anën tjetër. Megjithatë Thaçi dhe Berisha nuk kanë deponuar ndonjë padi për njëri tjetrin. Saherë që Rama e quante gënjeshtar Haradinajn më i ashpër dukej reagimi i Berishës ndaj Ramës se sa i vetë Haradinajt. Gjithashtu as Rama nuk ndihej mirë kur Berisha akuzonte Thaçin. Fusha ku bëhej lufta politike niset të shumohet me protagonistë.
Nëse deri dje ishin dy veta, u bënë katër.
Duke mos shkuar më herët në histori, raportet e subjekteve politike që veprojnë në të dyja shtetet nisin në fillim të viteve të 90-ta. Ishin PD dhe LDK që gjithmonë i ka karakterizuar një afërsi, kurse PS-ja ka qenë e afërt me UÇK-në, nga e cila si subjekt më i madh doli Partia Demokratike e Kosovës. Në organizime partish delegacione të partive kanë qëndruar tek njëra tjetra si mysafirë, ata të LDK-së te PD-ja e anasjelltas dhe të tjerë tek të tjerë, pra njerëz të një partie nga Kosova kanë qëndruar tek një parti në Shqipëri dhe njerëz të një partie nga Shqipëria kanë qëndruar te një parti në Kosovë. Ani se AAK-ja e Ramush Haradinajt nuk ka qenë ndonjë subjekt i madh, kjo nuk ka paraqitur problem për PD-në e Berishës që ta konsiderojë edhe atë si parti të afërt në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje kur nuk vepronte në Shqipëri krijoi një raport më të afërt me PS-në.
Bashkëpunimi i partive politike që ndjejnë veten në të njëjtin kamp ideologjik ndodhë mes vendeve të ndryshme, por rasti se si këto afri janë manifestuar në hapësirën shqiptare del të jetë më shumë me efekt negativ se sa pozitiv për rrethanën e ekzistimit të një kombi me dy shtete. Nuk do të thotë që nëse Rama është kundërshtar politik i Berishës, ai patjetër është edhe kundërshtar politik i Haradinajt. Apo nuk do të thotë që nëse Haradinaj është kundërshtar politik i Thaçit, ai domosdoshmërisht është edhe kundërshtar politik i Ramës.
Shqipërisë dhe Kosovës nuk i duhen afri të subjekteve politike me ideologji të njëjtë, të cilat shkaktojnë largim edhe më të madh të dy anëve me njerëz pa ideologji e që flasin të njëjtën gjuhë. Një afrim i subjekteve politike nga Shqipëria dhe Kosova siç ka ndodhur deri më tash, me rezultatet që i ka prodhuar, më mirë të mos ndodhë fare se sa që të ndodhë. Në një kontekst të tillë është shumë më mirë që qasja e subjekteve politike në raport me subjektet e tjera nga të dyja shtetet të jetë e njëjtë, pa afri që i jep përparësi dikujt në raport me dikë tjetër, gje e cila nuk do të prodhonte hendek me tjetrin.
(Autori është opinionist në Prishtinë, ky artikull është shkruar enkas për Metro)