Loading…

Agim Ademi, kryetar i paligjshëm i FFK’së që nga qershori i vitit 2019, konstaton komisioni i Ministrisë

  • 26/01/2023 | 14:01

Agim Ademi, kryetar i paligjshëm i FFK’së që nga qershori i vitit 2019, konstaton komisioni i Ministrisë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po i kalon kohët më të vështira që prej anëtarësimit në UEFA e FIFA në vitin 2016. Shtëpia e futbollit kosovar nuk po licencohet dot nga Ministria e Sportit pasi nuk po mund t’i përmbushë kriteret që kërkohen me ligjet e Kosovës dhe ato të UEFA-s e FIFA-s, me ç’rast futbolli kosovar tashmë po përjeton jo vetëm krizë funksionaliteti, por edhe krizë financiare, pasi klubeve u janë ndaluar benefitet e Ligjit të Sponsorizimit shkaku i moslicencimit të FFK-së.


Janë një varg kriteresh që FFK-ja nuk i ka përmbushur te Komisioni për Licencimin e Federatave Sportive pranë Ministrisë së Sportit, që kanë të bëjnë kryesisht me probleme statutore të FFK-së.

Por, edhe të gjitha ato sikur të përmbusheshin, një problem madhor në këtë proces po e paraqet edhe çështja e presidentit të FFK-së, Agim Ademi, i cili qe disa vjet gjendet në një proces gjyqësor për vepër penale.

Kjo ka bërë që Komisioni i Ministrisë së Sportit përmes një shkrese të cilën e dërgoi dje në FFK, e të cilën e publikoi ekskluzivisht Gazeta Express, të kërkojë nga Agim Ademi që ta pezullojë veprimtarinë e tij në cilësinë e kryetarit të FFK-së deri në përfundimin e procesit gjyqësor të tij. Këtë e kërkoi nga Ademi ta bëjë sa më shpejt në mënyrë që t’i kontribuohet procesit të licencimit të sportit numër 1 në Kosovë.

Nëse këtë nuk e bën vet Ademi, Komisioni i Ministrisë së Sportit kërkoi nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së që të marrë vendim për pezullimin e Ademit nga detyra e kryetarit.

Madje, ky Komision i Ministrisë ia bëri me dije FFK-së se Ademi qe disa vjet e kryen funksionin e presidentit të FFK-së në mënyrë të paligjshme. Ademi ishte zgjedhur kryetar i FFK-së në korrik të vitit 2018 pas vdekjes së kryetarit legjendar, Fadil Vokrri.

Ndërsa, sipas Komisionit të Ministrisë, Agim Ademi e mban pozitën e kryetarit në mënyrë të paligjshme që nga qershori i vitit 2019.

Ky Komision ia kujton FFK-së se më 3 qershor të vitit 2019 ka hyrë në fuqi Kodi Etik i FIFA-s, e cila i obligon shtetet anëtare ta respektojnë këtë kod, i cili thotë: “Pika 3 – Të gjitha shoqatat/federatat gjithashtu duhet të sigurojnë që askush të mos përfshihet në menaxhimin e klubeve ose te vetë shoqatës/federatës, që është nën ndjekje penale për veprime të padenja për një pozicion të tillë ose që është dënuar për një vepër penale në pesë vitet e fundit”.

Komisioni i Ministrisë thekson se përmes rrugëve zyrtare e ligjore e ka vërtetuar nga Gjykata se Ademi është në proces gjyqësor për vepër penale, andaj Kodi Disiplinor i FIFA-s ia pamundëson kryerjen e funksionit të kryetarit të FFK-së.

“Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive konstaton se Agim Ademi qe prej muajit Qershor 2019 (prej kur është në fuqi Kodi Disiplinor i FIFA’s) është duke e ushtruar detyrën e Kryetarit të FFK-së në kundërshtim dhe në shkelje të akteve normative ndërkombëtare të FIFA’s, anëtare zyrtare e së cilës është edhe Kosova nga data 13 Maj 2016”, thuhet në shkresën e Komisionit të Ministrisë, e cila pastaj e kërkon edhe pezullimin e Agim Ademit nga detyra.

Vlen të theksohet se vetëm pas kohë pasi e kishte marrë pozitën e kryetarit në vitin 2018, Agim Ademi kishte filluar të kontestohej. Ai insistonte se kishte marrë mandat katërvjeçar, kurse “opozita” që ishte krijuar karshi tij insistonte se kishte mandat dyvjeçar për ta vazhduar mandatin e lënë në gjysmë nga Fadil Vokrri. Disa nga ai grup opozitar pastaj kishin ndryshuar qasjen duke krijuar lidhje të fortë me Ademin, e disa të tjerë vazhduan me opozitë, të cilës pastaj iu shtuan personalitete tjera. Por, Ademi asnjëherë nuk ka qenë i qetë në karrigen e vet.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë