Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, pritet të intervistohet sot nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Dje gjatë ditës në media u raportua se kryetari i FFK’së Agim Ademi, është arrestuar nga Policia pas një urdhërarresti që është lëshuar për të. Mirëpo kjo u mohua nga Policia e Kosovës me një njoftim për media.
Policia e Kosovës, ka njoftuar zyrtarisht dje se ditën e mërkurë Agim Ademi, do të intervistohet, derisa ka mohuar se ka një urdhërarrest ndaj tij.
Në njoftimin e Policisë thuhet se të martën në orët e pasditës ka intervistuar në stacion policor një person/zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar.
Ndërsa raportimi në media për kinse arrestimin e kreut të FFK’së, policia ka thënë se nuk qëndron dhe se nuk ka ndonjë urdhër arrest siç raportohet, por të njëjtit i është lënë një ftesë për tu paraqitur në polici për intervistim gjatë ditës së mërkurë.
Policia ka thënë se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Burime të Metros kanë pohuar se në stacionin policor të Muhaxherëve, është parë duke dalë nga stacioni Agim Gashi drejtori i financave të FFK’së dhe avokati i tij.
Kujtojmë se javën e kaluar Agim Ademi është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje. /gazetametro.net