Loading…

‘Agim Ademi s’dëshiron kritikë, por vetëm ledhatime’: Gazetarët sportivë të zhgënjyer me FFK’në dhe mos transparencën e saj

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 29/01/2023 | 16:58

‘Agim Ademi s’dëshiron kritikë, por vetëm ledhatime’: Gazetarët sportivë të zhgënjyer me FFK’në dhe mos transparencën e saj

Skandale, padrejtësi, akuza për autokraci, këto janë vetëm disa nga gjërat për të cilat flitet e raportohet për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Këto raportime vijnë nga disa gazetarë sportivë të cilët pastaj penalizohen nga autoriteti më i lartë i futbollit kosovar. FFK nuk iu kthen përgjigje për tema të caktuara, nuk i akrediton për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe në fund jo më pak e rëndësishmja nuk lejohet pjesëmarrja e tyre në Kuvende (dy rastet e fundit), shkruan Gazeta Metro. 


Të premten u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm për ndryshimin e Statutit të FFK’së. Gazetarët vendin dhe orën se ku do të mbahet ky Kuvend e kuptuan vetëm pak orë para se të fillojnë punimet për një Statut që mori jo pak kritika.

Megjithatë, sikurse në prill në Kuvendin Zgjedhor ku u rizgjodh kryetari aktual Agim Ademi edhe kësaj radhe gazetarët u detyruan të ndaheshin të ‘kënaqur’ vetëm me pamjet nga jashtë. FFK’së nuk i mjaftoi as reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Gazeta Metro ka kontaktuar me tre gazetarë sportivë rreth mungesës së transparencës të FFK’së. Ndrec Gjonaj, Ekrem Idrizi dhe Lorik Jashanica kishin mendimin e njëjtë që duhet një përmirësim në këtë aspekt dhe kërkuan nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK) të jetë më aktive. Nga kjo shoqatë për Gazeta Metro gjithashtu foli kryetari i saj, Edmond Thaçi.

Ndrec Gjonaj, gazetar dhe moderator në televizionin RTV Dukagjini thotë se vetëm në vendin tonë ndodh që mediat mos të jenë të pranishme në Kuvende. Ai gjithashtu tregon se si Zyra për Media e FFK’së asnjëherë nuk kthen përgjigje.

”Gazetarët sportivë duhet të jenë në çdo Kuvend që organizohet nga FFK’ja sidomos kur kemi të bëjmë me një Kuvend të Jashtëzakonshëm që vendoset për të ardhmen e futbollit. Mediat janë në çdo Kuvend të Federatave të Futbollit të cilat janë anëtare të UEFA dhe FIFA, kjo nuk ndodh në Kosovë. Për këtë arsye reagojë edhe AGK’ja, pasi media nuk u lejuan të marrin pjesë as në zgjedhjet e 6 prillit në FFK.”

”Por, SHGSK në krye me Edmond Thaqin asnjëherë në raport me FFK nuk ka guxim të bëjë reagim. Zyra për Media e FFK asnjëherë nuk kthen përgjigje për mediat përkundër që në atë pozitë në FFK është i punësuar një person përgjegjës,” tha ai për Gazeta Metro.

Ndrec Gjonaj (Gazetar dhe moderator në RTV Dukagjini)

I ashpër me kryetarin e FFK’së, Agim Ademi u tregua gazetari i gazetës Nacionale, Ekrem Idrizi. Sipas tij, Ademi është një njeri vetjak dhe dëshiron të ketë gjithçka në kontroll.

Ai mendon që asgjë në Federatë nuk bëhet pa pëlqimin e Agim Ademit, për të cilin thotë se nuk i ka shumë në qejf kritikat e kundërshtimet, por vetëm ledhatimet.

”FFK’ja udhëhiqet nga një njeri vetjak, i cili dëshiron të ketë gjithçka nën kontroll dhe vetëm sipas mënyrës së tij. Federata e futbollit është më jotransparentja e mundshme dhe nuk do të jetë kurrë transparente me Agim Ademin në krye. Ademi nuk dëshiron kritikë apo kundërshtim, por vetëm ledhatim. Askush në FFK nuk guxon të bëjë apo thotë gjë pa pëlqimin e Ademit.”

”Federata nuk është jotransparente vetëm ndaj mediave, por edhe ndaj vetë klubeve të futbollit. FFK’ja nuk i akrediton gazetarët kritikë. FFK’ja është selektive sepse Ademi i ka dy lista, për gazetarët e tij të preferuar, dhe ata të cilët s’i do. Fatkeqësisht, Ademi e ka kapur edhe SHSGK, e cila asnjëherë nuk ka reaguar për neve. Ndërsa kryetari i shoqatës sonë shihet në darkat e organizuara nga Ademi,” tha ai për Gazeta Metro.

Idrizi vazhdon të flas rreth përvojës së tij, ku potencon se në çdo shkrim lidhur me FFK’në i ka dërguar pyetje këtij institucioni, mirëpo për më shumë se një vit nuk ka marrë asnjë përgjigje.

”Po ashtu, për çdo shkrim timin në lidhje me Federatën apo shefin e saj, unë gjithmonë i kam dërguar pyetje Federatës në mënyrë që edhe ajo ta ketë mundësinë ta thotë qëndrimin e vet për çështjen e trajtuar. FFK’ja nuk më ka kthyer asnjëherë përgjigje për asgjë për më shumë se një vit,” tha ai.

Ekrem Idrizi (gazetar në gazeta Nacionale)

Gazetari i gazetës Blic, Lorik Jashanica thekson se çdo gazetarë duhet të ketë të drejtë ta ushtrojë profesionin e tij në secilin aktivitet sportiv në Kosovë dhe kjo sipas tij nuk duhet të vihet në diskutim.

”Normalisht se mos transparenca nuk është e mirë dhe ndikon negativisht në secilin profesion, e sidomos tek ky i yni, i cili e ka detyrë pasqyrimin e lajmeve në opinion në kohë reale dhe një gjë e tillë ka afekt të drejtpërdrejtë tek mediat dhe gazetarët pasi “ndalohet” veprimtaria ynë. Secili gazetarë duhet të ketë të drejtën të përcjellë secilin aktivitet sportiv në Kosovë dhe kjo as që duhet të bëhet fjalë,” tha ai.

Ai thotë se ka raste kur disa mediume mjaft të mëdha kosovare nuk akreditohen për ndeshjet e ‘Dardanëve’. Siç thotë ai kjo për dallim nga vendi ynë në shtetet e huaja është çështje që nuk diskutohet.

Jashanica beson që në të ardhmen nuk do të diskutohet as në Kosovë për gjëra të tilla.

”Besoj që arsyen e kësaj duhet ta dinë më së mirë brenda institucionit, por si gazetar shpresojë që në një të ardhme shumë të afërt të bëhet zgjidhje edhe për akreditimet. Disa mediume mjaft të mëdha kosovare që përcjellin vazhdimisht Superligën e Kosovës, kombëtaret, lojtarët tanë në ligat evropiane ka raste kur nuk akreditohen në ndeshje dhe kjo poashtu duhet të rregullohet.”

”Në këtë drejtim besoj që duhet të punojë edhe SHGSK, me aq sa ka mundësi. Në vendet europiane as që diskutohet akreditimi i gazetarëve në stadiume, pasi që është e drejtë absolute e tyre. Shpresojë shumë që në të ardhmen nuk do të diskutojmë më për gjëra të tilla dhe nga institucioni në fjalë të reflektojnë pozitivisht për të drejtat tona si komunitet. Pa një gazetari të fortë sportive, mendoj se nuk do ta ketë zhvillim të mirë sporti i futbollit në Kosovë, andaj këtë duhet ta kenë parasysh,” përfundoi ai për Gazeta Metro.

Lorik Jashanica (gazetar në gazeta Blic)

Gazeta Metro ka kontaktuar edhe me kryetarin e SHGSK’së, Edmond Thaçin.

Ai ka thënë se pasi që FFK’ja e ka postuar drejtpërdrejtë në kanalin e saj zyrtar në ‘YouTube’ Kuvendin e së premtes atëherë nuk e kanë parë të arsyeshme që të reagojnë si SHGSK.

Edmond Thaçi (kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës)

”Shoqata nuk është e thirrur të merret me politikat e federatave, e në këtë rast me FFK’në. Unë si udhëheqës i shoqatës nuk kam lejuar asnjëherë të politizohet çështja e shoqatës me politika, interesa të planeve të ndryshme. Momentin që FFK e ka postuar ‘live’ në faqen e saj zyrtare Kuvendin, gjë nga e cila jam informuar edhe unë përmes asaj praktike që ata e kanë vendosur e që në këtë rast të njëjtën e vendosin edhe disa federata europiane. Nëse do të kishte pasur terr informativ atëherë jam shumë i sigurt se do të reagoja, por në momentin që jemi informuar ‘live’ dhe presidenti ka dalë në konferencë për media pas Kuvendit për neve është në rregull,” tha ai. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë