Një person që pretendon të ketë qenë agjent i agjencisë amerikane CIA, e që u infiltrua brenda njërit prej grupeve të luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri, thotë se e ka njohur edhe Lavdrim Muhaxherin, terroristin famëkeq nga Kosova.
I njohur me emrin Blerim Skoro, ai thotë se ishte rekrutuar nga amerikanët gjatë kohës po vuante një dënim me burg në vitin 2001. Skoro, në një bisedë telefonike me gazetën Tema, thotë se luftëtarët e ISIS’it nga Shqipëria, Edmond Balla dhe Bujar Hysa donin ta transformonin Shqipërinë në një vend ku ushtroheshin me përpikëri ligjet e sheriatit.
Ndërkaq, agjenti i amerikanëve tregon një detaj interesant për Lavdrim Muhaxherin. “Pasi vdiq një nga luftëtarët që ishte nga Shqipëria, Muhaxheri u martua me gruan e tij”, thotë Skoro. Pra, sipas tij, Muhaxheri ishte martuar me gruan e shokut të tij besnik, pasi ai kishte vdekur.
Tutje, Blerim Skoro thotë se ka pasur ofertë të majme prej vet liderit të ISIS’it, Abu Bakr al-Baghdadi, për të drejtuar një prej grupeve terroriste që përbëhej nga luftëtarë të huaj. “Këtë e dinë edhe shërbimet sekrete amerikane”, përfundon ai. /gazetametro.net