Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas sulmeve që u janë bërë sot gazetarëve nga serbët, të cilët po zhvillojnë një protestë në veri të Kosovës, duke kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj të katër komunave veriore, shkruan Gazeta Metro.
AGK në reagimet e saja, ka dënuar këto akte të protestuesve, dhe, i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovës, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale.
Po ashtu, AGK-ja, ka ftuar gazetarët për kujdes të shtuar gjatë raportimit nga komunat në të cilat janë vendosur protestuesit.
Reagimi i plotë:
Vandalizohen dhe dëmtohen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs në Leposaviq
Veturat e RTV Dukagjinit dhe të KALLXOs, janë vandalizuar dhe dëmtuar nga protestuesit në Leposaviq.
Në videot e publikuar në medie, shihen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs, me simbolin e motos jozyrtare të serbëve “Samo sloga Srbina spasava” (Vetëm uniteti i shpëton serbët), gomat e shpërthyera, si dhe mbulimin e “Republika e Kosovës” në targa.
AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe të papenguar të ekipeve mediale.
Njëherësh, AGK-ja, fton gazetarë për kujdes të shtuar gjatë raportimit nga komunat në të cilat janë vendosur protestuesit.
Vandalizohet vetura e Top Channel në Zveçan
Një veturë e mediumit Top Channel është vandalizuar sot nga protestuesit në Zveçan.
Me këtë veturë me të cilën po udhëtonin katër gazetarë të medieve të ndryshme, është vandalizuar me sloganin nacionalist, si dhe me qëllimin që të mos mund ta ngasin më tej.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po i përcjell me shqetësim zhvillimet në këto komuna, dhe u bën thirrje kolgëve gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe t’i respektojnë udhëzimet e zyrtarëve të Kosovo Police për perimetrin e raportimit.
AGK-ja, sërish u bën thirrje prezencës ndërkombëtare në Kosovë, NATO Kosovo Force – KFOR dhe EULEX Kosovo (Official) që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe pa u penguar të medieve. /gazetametro.net