Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paditur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Lëvizjen Vetëvendosje për shpifje për qumështin në shkollat e Prishtinës, transmeton Gazeta Metro.
Ahmeti ka thënë se kjo padi po bëhet për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka shpifur për furnizim me qumësht në shkollat e Prishtinës.
Sipas tij kjo padi do të ishte më mirë të bëhej ndaj personit i cili organizon të gjitha këto shpifje, mirëpo sot ata ishin të detyruar që padinë ta bëjnë për LVV, transmeton Gazeta Metro.
“Këtë padi e kamë bërë për Lëvizjen Vetëvendosje për shpifje të vazhdueshme që i kanë bërë, këtë rast ishte për qumështin në shkollat e Prishtinës, këtë padi e kam bërë pasi ata e kanë shpallur vetën gjykatës edhe pse kanë qenë tërë kohën pjesë e furnizimit me qumësht, sepse të gjitha këto furnizime që i kanë potencu kanë ndodhë gjatë kohës sa unë kam qenë në Vetëvendosje, mirëpo për ata po më duket më nuk është e rëndësishme as e vërteta, por me rëndësi janë sulmet ndaj neve dhe shpifjet”, tha Ahemti.
“Do të ishte mirë që kjo padi të shkonte ndaj personit të cilit organizon të gjitha këto shpifje, e gjuan gurin dhe e mshef dorën, mirëpo sot jemi të detyruar padin ta bëjmë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Ahmeti, transmeton Gazeta Metro.
Sipas Ahmetit prapa të gjitha këto shpifje nga Lëvizja Vetëvendosje po qëndron kryetari i saj Albin Kurti.
Ai ka bërë thirrje edhe njëherë që të ballafaqohet me të në studio televizive dhe t’i flas për të gjitha temat dhe të shihet se kush po rren.
“Albini, e kam ftu në ballafaqim, në çdo debat, në televizion, ajde të vjen kryetari mos të mshifet mas Valdrinave, Fitores, sepse i di i njohim kejt këta, ballafaqohemi për kejt temat, edhe për qumësht edhe për Devollt, ama ti flasim tani të gjitha gjërat dhe i tregojmë se kush po rren në këtë mes”, tha Ahmeti./gazetametro.net