Loading…

Akademitë e Shkencës gati për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”

  • 27/01/2021 | 22:37

Akademitë e Shkencës gati për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës zhvilluan sot në Tiranë një takim zyrtar ku diskutuan për projektet madhore në albanologji: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” si dhe për kuvendin ndërkombëtar të studimeve albanologjike, që do të mbahet sivjet në muajin nëntor.


Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH, paraqiti në fillim hapat që janë hedhur për këto projekte e nisma, duke përfshirë përgatitjen e platformave paraprake, parashikimin e shpenzimeve, arritjen e dakordësive parimore me ASHAK-un dhe miratimin e një buxheti ekstra nga Këshilli i Ministrave për një shtesë prej 100 milionë lekë të reja.

Kryetari i ASHAK akad. Mehmet Kraja tha se dokumentet paraprake janë diskutuar në Kryesi dhe në seksionin e gjuhësisë dhe kanë marrë pëlqim. Tani duhet t’i paraqiten për miratim kuvendit të ASHAK, në njërën nga dy mbledhjet e rregullta vjetore të tij: në shkurt ose në qershor, që është koha e rishikimit të buxhetit nga Qeveria e Kosovës.

Akademikët u dakortësuan në propozimet për krijimin e grupeve të punës për kuvendin e studimeve shqiptare, enciklopedinë dhe fjalorin që të bëhen e të miratohen në mbledhjen e muajit shkurt.

Përbërja e grupeve të punës do të jetë nga pesë vetë për secilën palë, kurse për fjalorin nga tre vetë.

Gjithashtu në këtë takim, u vu në dukje se puna për fjalorin është më e mundshme për të filluar menjëherë, sepse tashmë leksiku i shqipes së shkruar dhe të asaj të folur në Kosovë është mbledhur, ndërsa në Tiranë kartoteka e leksikut të shqipes përmban 15 milionë njësi leksikore, duke përfshirë dialektet dhe format e tyre.

Akad. Gjinushi theksoi se këto nisma kanë të bëjnë me konceptin që dy akademitë të funksionojnë si në një rrjetëzim shkencor, duke qenë në zgjidhje të përbashkëta programore. /ATA / GazetaMetro

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë