Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit ka hedhur poshtë mundësitë qe ky subjekt t’i bashkohet koalicionit parazgjedhor AAK-NISMA. Në këtë parti thonë se AKR do të garoj e vetme në këto zgjedhje dhe synimi i tyre është qe të dalin nëse jo partia e parë, atëherë partia e dytë në zgjedhjet e ardhshme qendrore kurdo që mbahen ato.
Koordinatori i zgjedhjeve në nivel qendror, Vesel Makolli ka thënë për ‘Indeksonline’, se nuk ka asnjë mundësi qe ky subjekt të garoj në ndonjë koalicion parazgjedhje në zgjedhje.
Ai madje ka thënë se ambiciet e kësaj partie dallojnë me ato të AAK-së dhe Nismës.
“Jo nuk ka asnjë mundësi qe të garojmë me AAK-në dhe Nismën. Gjasat për këtë janë nën zero. Ne jemi në përfundim e sipër të zgjedhjeve të brendshme. Jemi duke ristrukturuar degët. Brenda një muaji do t’i konstituojmë të gjitha degët. Kongresin mendojmë ta mbajmë në dhjetor. Kemi pasur shumë aderime. Ne synojmë t’i arrijmë 20% të elektoratit në nivel vendi. As që e mendojmë të hyjmë në një koalicion parazgjedhor”, ka thënë Makolli.
Ai thotë se kësaj partie po i bashkohen shumë intelektual dhe qytetarë të shumtë. Ndërsa ka shtuar se në koalicione parazgjedhore duhet bërë lëshime dhe këto lëshime, sipas tij, nuk i meriton ky subjekt.
Sa i përket kongresit të përgjithshëm, Makolli ka thënë se ai do të mbahet kah mesi i dhjetorit dhe Behgjet Pacolli, sipas tij, do të jetë i pakonkurrence.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës për Kosovën, publikisht kanë thënë se janë të hapur qe koalicionit AAK-NISMA t’i bashkohet edhe AKR-ja.
AKR ishte pjesë e qeverisë se kaluar se bashku me PDK-në dhe parti tjera më të vogla. Mirëpo, në zgjedhjet e 8 qershorit të vitit 2014, ky subjekt dështoi të kaloi pragun parazgjedhor për tu bërë pjesë e Kuvendit.