Aleanca Kosova e re dhe Lëvizja Vetëvendosje janë pajtuar në parim që të bashkëqeverisin Mitrovicën për periudhën e mbetur të këtij mandati, shkruan Gazeta Metro.
Këtë e kanë bërë të ditur dy palët në një prononcim për media. Mirëpo, ani pse kanë treguar se janë dakorduar, ata ende nuk kanë nënshkruar edhe zyrtarisht.
Gazeta Metro ka provuar të mësojë për kushtet e marrëveshjes, mirëpo krejt çka është thënë nga zyrtarët e VV-së, ka qenë konfirmimi për një marrëveshje gojore.
“Krejt çka mundem me thanë për momentin, është se jemi dakorduar që të qeverisim së bashku. Por, zyrtare nuk ka asgjë, pasi ajo bëhet kur të dalim më komunikatë”, ka thënë Rejhan Fejza, zyrtar për media nga VV.
Ndryshe, nevoja për një koalicion të ri erdhi pasi bashkëpunëtori i deritanishëm i Agim Bahtirit, LDK-ja, u larguan nga ky koalicion pasi, siç u raportua, Bahtiri kishte larguar një drejtor të tyre./gazetametro.net/