Njësitë hetimore për krime ekonomike, në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion në Agjencinë Kadastrale dhe disa lokacione të tjera, ku janë ndaluar pesë persona të dyshuar, transmeton Gazeta Metro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se veprimet janë ndërmarrë me urdhër të gjykatës, në kuadër të hetimeve për veprat penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo Autoritetit Zyrtar’’, ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’ dhe “Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë’’.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda- Njësiti për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik, se sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe në disa lokacione te tjera, ku janë ndaluar për 48 orë pesë (5) persona me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH., dhe M.B”, thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të rreme për shkëmbim të paluajtshmërive, e cila pretendohej se daton nga viti 1966, me qëllim përfitimi material në mënyrë të jashtëligjshme. Dokumenti dyshohet se është paraqitur si i vlefshëm me ndihmën e një zyrtari gjyqësor, i cili akuzohet për krijim të dosjeve të paqena dhe futjen e tyre në arkiva zyrtare.
Në këtë skemë përfshihen edhe dy zyrtarë të kadastrës, të cilët dyshohen se kanë tejkaluar autorizimet duke miratuar kërkesa në favor të njërit prej të pandehurve, çka çoi në regjistrimin e pronës në emër të tij./gazetametro.net