Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi, që të katërt aktivistë të Lëvizjes Vetqëvendosje të cilët po akuzohen për terrorizëm, janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës së sotme gjyqësore që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
I pari që u deklarua dhe ka debatuar me gjykatësin ka qenë zëdhënësi i kësaj Lëvizje Frashër Krasniqi.
Ai, i tha trupit gjykues se nuk kanë prova për mbajtjen e tyre që 5 muaj, shkruan Gazeta Metro.
“Unë dua të tregoj në mënyrën time se çfarë mendoj e jo siç doni ju. Kriminelet janë në Pushtet. Pafajësia jonë është shumë e qartë, e ka thënë Forenzika, dhe prokurori me anë të kundërthënieve të tij. Na do jemi fajtor përderisa kemi këtë prokuror, lëvizjet progresive janë ndalu para se të përfundojnë”, është shprehur Krasniqi.
Ndërsa avokati i tij Tomë Gashi ka kërkuar heqjen e arrestit shtëpiak, pasi që sipas tij nuk ekziston asnjë arsye ligjore për mbajtjen e Krasniqit në arrest shtëpiak. Ai, kërkoi që masa e arrestit shtëpiak të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër më të lehtë.
Avokati Gashi duke e mbështetur deklaratën e tij për montim të rastit, ka thënë se “nëse ky rast nuk është politik ju lirisht mund të ma merrni licencën”. /gazetametro.net