Në fund të vitit 2018, Prokuroria dhe Gjykata Speciale për Kosovën kanë vendosur të aktivizohen, Prokurori i Specializuar, Jack Smith, e ka të gatshme aktakuzën e parë ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.
Lajmin për këtë e ka konfirmuar Arianit Koci, avokat i ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ai ka thënë se Mustafa ka pranuar ftesë që të intervistohet nga Specialja, njofton gazetametro.net.
“Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim”, ka thënë Koci, përcjell Koha.net. “Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar. Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë z. Mustafa rreth kësaj çështjeje”, ka shtuar më tej Koci.
Hetimi 7-vjeçar për krimet e pretenduara që dalin nga raporti i Dick Martyt dhe Këshillit të Evropës, pritet që fillimisht të finalizohet me së paku një aktakuzë të Prokurorisë së Specializuar, brenda muajit janar, njofton gazetametro.net.
Gjykata Speciale për Kosovën u krijua në vitin 2015, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Misioni i saj është që t’i hetojë pretendimet e raportit të Dick Martyt, për krime të cilat thuhet se janë kryer mes viteve 1998-2000./gazetametro.net