Loading…
Alarm i lartë, SHBA tërheq diplomatë nga Iraku
  • 16/05/2019 | 12:13

Alarm i lartë, SHBA tërheq diplomatë nga Iraku

Prej tensioneve me Iranin, SHBA kanë reduktuar personelin diplomatik në Bagdad dhe Erbil. Trupat amerikane në Irak dhe Siri u vendosën në “gatishmëri të lartë”. Ushtria gjermane pezullon trajnimin e trupave në Irak.


Qeveria e SHBA ka urdhëruar tërheqjen e të gjithë zyrtarëve amerikanë që nuk janë urgjentisht të nevojshëm në Irak. Të prekurit duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur me mjete civile transporti, tha Ambasada e SHBA në Bagdad. Në Bagdad dhe në konsullatën e Erbilit, në Veri të Irakut, shërbimi normal i vizave pezullohet përkohësisht, u bë e ditur.

Vendimi për tërheqjen e zyrtarëve bazohet në vlerësimin e situatës së sigurisë, shtoi në Uashington një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të SHBA, pa dhënë hollësi.

Më parë, ushtarët amerikanë të operacionit antiterrorist, Inherent Resolve (OIR), të vendosur në Irak dhe Siri, patën kaluar në “alarm të lartë”, siç bëri të ditur Kapiteni i Marinës, Bill Urban. Pentagoni foli për “kërcënime të besueshme” të konstatuara nga agjencitë amerikane të inteligjencës dhe nga aleatët e tyre.

Një gjeneral britanik mendon ndryshe

Me këtë përfaqësuesit ushtarakë amerikanë kundërshtuan komentet e gjeneralit britanik Chris Ghika, i cili është zëvendës komandanti i OIR. “Nuk ka kërcënime të shtuara në Irak dhe Siri nga forcat e mbështetura nga Irani”, tha ai. Forcat e armatosura amerikane reaguan me ashpërsi. Ky përfundim nuk është përputhet me njohuritë e Shteteve të Bashkuara, u bë e ditur. I pyetur pak më vonë, Ghika nuk pranoi të përsëriste fjalët e tij.

Edhe kryeministri i Irakut Adel Abdul Mahdi pati vënë në dukje se vendi i tij nuk ka vërejtur lëvizje që mund të kërcënonin ndonjë palë.

Irani kujton gënjeshtrën e armëve të shkatërrimit në masë në Irak

Zëdhënës të dy milicive shiite deklaruan se nuk kishin ndërmend t’i sulmonin trupat amerikane. “Pretendimet amerikane janë të pabaza. Ato të kujtojnë gënjeshtrën e madhe të armëve të shkatërrimit në masë në Irak”, tha Laith al-Athari i grupit Asaib Ahl al-Hak. Në vitin 2003, SHBA deklaruan ekzistencën e armëve të shkatërrimit në masë si argumentim për pushtimin e Irakut.

Paralelisht me këtë, të mërkurën Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Hatami deklaroi se  Irani do t’a mposhtë aleancën amerikano – izraelite, sipas Agjencisë së lajmeve të Republikës Islamike (IRNA). “Ne duam ta mposhtim frontin amerikan-sionist”, tha ai.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, për shkak të tensioneve rajonale në rritje, Bundeswehr pezulloi trajnimin e forcave të armatosura në Irak. Hapi u mor në koordinim me partnerët e koalicionit anti-IS, tha një zëdhënës i Agjencisë Gjermane të Shtypit, dpa.

Irani nis braktisjen e pjesshme të marrëveshjes bërthamore

Irani, siç qe njoftuar, filloi të pezullojë përmbushjen e disa kushteve të vendosura nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore. Ky hap u bë me urdhër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, njoftoi agjencia e lajmeve Isna. Tani e tutje, Irani nuk do t’i përmbahet më Marrëveshjes së Vjenës të vitit 2015, për të mbajtur maksimum 300 kilogram uranium dhe 130 ton ujë të rëndë në vend dhe për ta dërguar pjesën tjetër jashtë vendit ose për ta shitur, u tha. Megjithatë, sipas ekspertëve, me masat e deritashme me sa duket Irani ende nuk e ka shkelur marrëveshjen bërthamore.

Nëse palët e tjera të marrëveshjes bërthamore, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina nuk do ta mbrojnë ekonominë iraniane nga efektet e sanksioneve të reja të SHBA brenda dy muajve, Teherani ka kërcënuar të pasurojë uraniumin në një shkallë më të lartë në të ardhmen.

Tensionet midis qeverive të Uashingtonit dhe të Teheranit janë rritur masivisht ditët e fundit. Presidenti i SHBA Donald Trump e akuzon Iranin se nxit trazira në rajon dhe se mbështet terrorizmin. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dha siguri, se SHBA nuk duan luftë me Iranin. “Por po të sulmohen interesa amerikane atëherë SHBA do të mbrohen”, tha ai. Ndër të tjera, Ministria e Mbrojtjes e SHBA dërgoi së fundmi në Lindjen e Mesme një aeroplanmbajtëse dhe një skuadrilje bombarduesish. Këtë hap e justifikoi me të dhëna se Irani mund të sulmonte trupat amerikane.

Në kuadër të operacionit antiterrorist kundër “Shtetit Islamik” në Irak, SHBA mbajnë në Irak ende disa mijëra ushtarë. Raportet jozyrtare flasin për deri në 9000 vetë. Në Siri, sipas shifrave zyrtare, rreth  2000 ushtarë amerikanë janë të përfshirë në luftën kundër Shtetit Islamik, kryesisht si trajnerë dhe këshilltarë të forcave të opozitës. Sa prej tyre janë ende në Siri, kjo është e panjohur.

 

Më të fundit
...
  • 20/05/2019 | 23:38
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë