Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara ka njoftuar se kërcënimi me bombë në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë ka rezultuar i rrejshëm, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se aeroporti është i hapur për fluturime dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht.
”Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës.Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm.ANP ‘Adem Jashari’ është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht,” ka shkruar ajo.
Më herët, për Gazeta Metro zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti e konfirmoi se rreth orës 16:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’.
Kujtojmë se edhe javë më parë kishte rezultuar alarm i rrejshëm një kërcënim me bombë. /gazetametro.net