Kosova dhe Serbia sërish nuk nënshkruan asgjë, por të paktën në Ohër u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE’ja. Pas deklaratave të palëve që diskutuan për 12 orë përmes portalit EEAS, Bashkimi Europian publikoi tekstin e aneksit për zbatimin e propozimit europian, shkruan Gazeta Metro.
Në këtë aneks pika më e ‘nxehtë’ për Kosovën dhe ajo që ngjalli reagime të shumta në vendin tonë është pjesa për nenin 7 të propozimit europian.
Në pikën pesë theksohet qartë çfarë tha shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, se Kosova duhet të fillojë menjëherë negociatat me BE’në për çështjen e vetë-menaxhimit për komunitetin serb në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të Dialogut.
”Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së,” thuhet në pikën pesë.
Nga opozita kosovare, saktësisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës po e shohin epilogun e kryeministrit Albin Kurti në dialog si një mashtrim dhe humbje e një mundësie historike.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, mbrëmë përmes një postimi në Facebook tha se krejt çfarë kishte thënë një kohë opozitari i zëshëm, u zhbënë.
”Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë.”
”Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më,” shkroi ai.
Me ironi e duke u tallur reagoi edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku. Ajo kujtoi meselenë e famshme me qershia të deputetes së PDK’së, Ganimete Musliu, në Kuvendin e Kosovës që i kishte thënë Kurtit.
”Studimet e fundit thonë se qershiat janë ushqimi i preferuar i luanit,” shkroi ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA.
Në anën tjetër, prej analistëve një ‘selam’ kreut të ekzekutivit kosovar ia dërgoi Valon Syla.
Sipas tij, para se të pranonte ‘Zajednicën’ Kurti do të duhet të jepte dorëheqje. E gjitha kjo do të duhej të ndodhte thotë ai vetëm nëse do të ishte lider.
”Po të ishte lider Albin Kurti sot do të duhej të jepte dorëheqje, para se ta pranonte Zajednicen’. Kete se bëri.
Së paku duhet të kërkoj falje publike, por as këtë se bon Kurti se është i paftyrë, rrenc,” shkroi ai ndër të tjerash.
‘Albin Luani’ e emëroi analisti Parim Olluri, i cili ironizoi duke thënë se ”Villa e Titos ne Oher eshte adekuate per Zajednice.”
”Shtepia e Bardhe ka thika mbi harte. Villa e Titos ne Oher eshte adekuate per Zajednice. Bravo Albin Luani!,” ka shkruar ai.
Një nga reagimet e shumta ishte edhe ish-nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti. Ajo tha se pala kosovare nuk e ka përmbushur synimin e saj për një marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë.
Sipas ish-deputetes së Vetëvendosjes, delegacioni kosovar me në krye Albin Kurtin përfundoi në një marrëveshje të përkohshme me plot rreziqe.
”Nga synimi për një marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë që do të siguronte paqe, përfunduam në një marrëveshje të përkohshme ‘tu pa, tu bo’ me plot të panjohura e rreziqe,” ka shkruar Dërguti.
Ndryshe, sot në mëngjes kryeministri Albin Kurti përsëriti ato çfarë tha mbrëmë para gazetarëve, vetëm se këtë herë e bëri në Twitter.
Ai tha se ishte pala serbe ajo që po refuzon të nënshkruajë marrëveshjen dhe tani aneksin. Kurti shtoi se është në dorë të Bashkimit Europian të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht obligative.
“Ne kemi arritur një marrëveshje për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë. Serbia – njëjtë sikur në takimin e fundit në Bruksel – shmangu nënshkrimin e marrëveshjes, dhe tash aneksin. Është në dorë të BE-së të gjejë një mekanizëm ta bëjë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme. Ne erdhën në Ohër me qëllime të mira dhe e dëshmuam mirëbesimin në takimet e djeshme. E falënderoj Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell, emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak për angazhimin e paepur dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen”, ka shkruar Kurti. /gazetametro.net