Loading…

Albini duhet të mësojë nga gabimet e Bërnit

  • 15/03/2020 | 17:29

Albini duhet të mësojë nga gabimet e Bërnit

Shkruan: Fitim Salihu


1.

Në orët e para të mëngjesit të 15 marsit, pak pas mesnate, koalicioni qeveritar miratoi buxhetin e vitit 2020, si dhe një rezolutë që e obligon qeverinë ta udhëheq dialogun me Serbinë. Gjer këtu, gjithçka në rregull. Problemi nis tek ankesat e partive opozitare, të cilat pretendojnë se krejt kjo kaloi pa konsultim me ta. Shefat e grupeve parlamentare opozitare pohuan se partnerët e koalicionit e kaluan tinëzisht votimin e buxhetit me procedurë të shpejtë. Buxheti erdhi më vonë se ç’pritej, u votua më shpejtë se ç’duhej. Në ditën kur u votua si kryeministër, Albin Kurti ia zgjati dorën e bashkëpunimit opozitës së re. Një qasje për t’u lavdëruar. Dukej sikur Albinit opozitar grindavec po ia zinte vendin Albini kryeministër bashkëpunues. Por, me injorimin e djeshëm të opozitës, duket se ai po e hap një front të panevojshëm përballjeje politike. Albin Kurti ka nevojë për opozitën. Rezoluta për dialogun vërtetë kaloi. Por, ai duhet ta ketë të qartë se çfarëdo marrëveshje që del nga ai dialog duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave, të cilat, pa opozitën, ai nuk i ka. Përtej aspektit procedural, Kurti ka nevojë për opozitën edhe në aspektin simbolik – asnjë marrëveshje me Serbinë s’kalon dot pa unanimitet dhe konsensus politik kombëtar.

2.

Bërni Sendërs, kandidati për ta marrë nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale në ShBA, filloi furishëm fushatën. Por, me kalimin e kohës, ai po pëson humbje të njëpasnjëshme në primaret brendapartiake që po zhvillohen nëpër të gjitha shtetet e federatës amerikane.

Në “super të martën” e 3 marsit, ditën kur votohet në më së shumti shtete në primaret brendapartiake, në katërmbëdhjetë, ai fitoi vetëm katër sosh. Aktualisht, Sendërsi ka 736 delegatë, gjersa Xho Bajdën, kundërkandidati i tij më serioz, ka 890 syresh. Kandidati që arrin t’i sigurojë 1991 delegatë merr bekimin e partisë “për t’i dalë në mejdan” presidentit aktual, Donald Tramp.

Çelësi i fitoreve të Bajdënit qëndron në aftësinë e tij për të rritur aleancat brenda demokratëve dhe për të kapërthyer grupime të ndryshme shoqërore që gravitojnë në Partinë Demokratike. Brenda pak ditësh, ai mori përkrahjen e ish-kundërkandidatëve për presidentë demokratë – Pit Butëgjegjit, Emi Klubusharit dhe Beto O’Rurkes.

Ajo që dallon kampanjën e dy kandidatëve kryesorë është qasja. Teksa Sendërsi ka hyrë në garë si luftëtar, Bajdëni ka hyrë në garë si pleqnar përbashkues. Sendërsi bën lojë ekskluzive, Bajdëni inkluzive. I pari do ta marrë nominimin e demokratëve duke luftuar establishmentin dhe shtyrë përpara agjendat e veta, i dyti duke pajtuar fraksionet e ndryshme dhe duke akomoduar agjendat e ndryshme programore.

3.

Mëngjesin e 15 marsit, Albin Kurti bëri një shkrim ku kërkonte falje për moslargimin e tarifës në këtë ditë, ashtu siç kishte paralajmëruar. Sipas tij, shkaktari kryesor ishte LDK-ja që nuk po bindej që ajo të mos zëvendësohej nga masa e reciprocitetit. Pra,  po e hidhte topin tek LDK-ja.

Menjëherë, brenda ditës, erdhi reagimi edhe nga kryetari i LDK-së edhe nga njeriu numër 1 i partisë në qeveri. Isa Mustafa tha se fajtor i moslargimit të tarifës ishte vetë Kurti dhe jo LDK-ja. Për më tepër, ai e akuzoi kryeministrin se po ka qasje dogmatike e konspiracioniste. Zëvendëskryeministri Hoti tha se tarifa duhej hequr menjëherë dhe kërkoi që mos të bëheshin taktizime politike.

Kësodore, Albin Kurti po dëshmohet i paaftë të arrijë konsensus edhe brenda koalicionit qeveritar që ai e udhëheq. I tillë qe dëshmuar edhe me rastin e negociatave për arritjen e koalicionit qeverisës me LDK-në, kur ato zgjatën mbi tre muaj vetëm se palët nuk pajtoheshin për disa karrige dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kursyen sharjet dhe ofendimet në drejtim të figurave kyçe të LDK-së.

4.

Si sillet Sendërsi përballë qasjes së hapur të Bajdënit i cili prore po bën aleanca brenda partisë? Bashkëpunëtorët e tij po mallkojnë ish-kundërkandidatët dhe grupet e ndryshme brenda partisë përse po e përkrahin Bajdënin. Sendërsi po demonstron mungesë aftësish kompromisi dhe konsensusi. Për më keq, bashkëpunëtorët e tij i kanë kryqëzuar edhe aleatët potencialë të tij.

Senatoret Kamala Herris dhe Elizabetë Uarrën kishin shfaqur gatishmërinë për ta shtyrë përpara aktin ligjor të Sendërsit “Përkujdesje shëndetësore për të gjithë”. Por, vetëm pse kërkuan të zbusnin disa pjesë ose të ndryshonin disa detaje, ato u trajtuan si tradhëtare nga kampi i Sendërsit.

Poashtu, rrethi i tij i ngushtë lëshuan akuza të rënda ndaj senatores Uarrën, e cila është një tjetër kandidate për ta marrë nominimin e partisë për zgjedhjet presidenciale vetëm sepse ajo nuk po tërhiqet prej garës dhe paskëtaj ta përkrahte Sendërsin. #WarrenIsASnake (Uarrën është gjarpër) ishte hashtagu që vërshoi rrjetet sociale për ta linçuar senatoren.

5.

Sendërsi dhe enturazhi i tij nuk mund ta akuzojnë Bajdënin përse ai ka talent t’i përbashkojë grupet antagoniste të partisë. As nuk mund t’i ofendojnë kolegët përse po e përkrahin një kandidat që i akomodon agjendat e tyre programore. Sendërsi duhet të reflektojë dhe të rishpik fushatën e tij me një qasje më inkluzive, tolerante dhe unifikuese kundruall partisë. Nuk mund ta marrësh nominimin e partisë duke e parë partinë si armike.

Si do t’ia dalë nesër, si President i ShBA-së, të fitojë mbështetjen e kolegëve partiakë për të miratuar ligjet e ndryshme nëse sot nuk tregon gatishmërinë të bëjë kompromis me ta dhe ta fitojë përkrahjen e tyre për t’u nominuar?

Njënjëshëm, Albin Kurti duhet ta rishpik qasjen e tij politike. Shenja pozitive ka dhënë – prej fjalimit të parë si kryeministër ku zgjati dorën e bashkëpunimit me opozitën gjer tek vizita tek varri i Ibrahim Rugovës, si një shenjë mirëkuptimi për partnerin e koalicionit.

Albin Kurti duhet të mësojë prej gabimeve të Bërni Sendërsit. Proceset në të cilat po kalon Kosova – dhe kah pritet të kalojë muajve në vijim – kërkojnë unitet të madh; jo vetëm brenda koalicionit qeveritar, por edhe në skenën politike gjithunji.

Si mund ta kesh një vendim të fundëm të qeverisë rreth tarifës nëse partneri yt qeverisës ka qëndrime diametrikisht të kundërta? Si mund të kalojë me unanimitet një marrëveshje eventuale me Serbinë nëse që në zanafillë, që në miratimin e rezolutës, e ke përjashtuar opozitën?

Në një varg të tij, poeti Fatmir Muja thotë “s’duhet ta mallkosh errësirën; mjafton ta ndezësh dritën”.

(Autori është politolog dhe merret me studimin e Politikave Krahasuese dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ky artikull është shkruar enkas për Gazetën Metro.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë