Loading…

Albini i Serbisë

  • Nga

  • BATON HAXHIU

  • 23/08/2022 | 18:34

Albini i Serbisë

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel vuri në lëvizje makinerinë e aktivistëve të mërdhezur të VV-së, një pjesë të konsiderueshme të opinionit vendor, e cila verbërisht ka vendosur t’i bindet tandemit të dëmshëm Kurti-Osmani dhe analistët e telekomanduar nga zyra e mini-manxhukave të Qeverisë.


Shkruan: Baton Haxhiu

Për më shumë, meqenëse tashmë përfundimisht është qartësuar se kemi të bëjmë me një opozitë që udhëhiqet nga dy krerë të shitur si Krasniqi e Abdixhiku, edhe pjesa politikisht më e kthjellët e opinionit publik në Kosovë nuk e artikuloi plotësisht kritikën e duhur ndaj qëndrimeve skandaloze të Albin Kurtit në raport me Serbinë.

Për t’i rënë kësaj çështje më shkurt se tweet-at e kryekokave të PDK-së në mbështetje të Qeverisë Kurti, vlerësoj se është e nevojshme t’u jepet zë disa episodeve shumë të rënda në zhvillim e sipër kundër Republikës së Kosovës.

Fillimisht, politika e Albin Kurtit ndaj Serbisë nuk ka asnjë lidhje me përpjekjen për vendosje të reciprocitetit ndërshtetërorë. Këtë e besojnë vetëm torollakët e partisë që ua kryen avokaturën gjyqtari i Sllobodan Millosheviçit deri në vitin 1993.

Në fakt, të njëjtit janë aq të ulët sa në heshtje e pranojnë edhe marrëveshjen Kurti-Vuçiç për emërim të Veton Surroit si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Pra, bëhet fjalë për afirmim të personit i cili për më shumë se 30 vite, sipas Albin Kurtit, ka mbajtur qëndrime të prera anti-kombëtare duke filluar nga mbrojtja e ndryshimeve kushtetuese, mbështetja e koalicioneve opozitare anti-Kosovë si Demos e Zajedno të Serbisë kundër Ibrahim Rugovës, pjesëmarrja në projektin e Millosheviçit për të zëvendësuar Bujar Bukoshin me vetë Surroin si Kryeministër të Qeverisë në Ekzil e deri te dorëzimi pa kushte me ditë të parë në Rambuje kundër përpjekjeve të Rugovës dhe Thaçit për avancim të disa klauzolave me rëndësi jetike në atë marrëveshje.

Megjithatë, kjo e bën të qartë se anëtarësia e kësaj partie i është nënshtruar pa kushte interesave personale dhe kultit të udhëheqësit shpirtëror në dëm të interesave kombëtare.

Mirëpo ky dorëzim kaq i rëndë, nuk i bën masat vocërrake për lejekalime e targa të Albin Kurtit masa reciprociteti me Serbinë. Albin Kurti thjesht, ashtu siç e ka zakon nga shkolla e mesme, është duke gënjyer hapur të gjithë pa i lëvizur fija e qerpikut.

Sipas VV-së, reciprociteti me Serbinë në radhë të parë është ekonomik. Te Kurti 1, pseudo aktivistët e VV-së, besatoheshin publikisht se pa pranimin e certifikatave të prodhimit të mallrave të Republikës së Kosovës, nuk do të pranojnë as ato të Serbisë. Sot, ndërkaq, qeveria Kurti është shndërruar në sinonim të kampiones në biznes me Serbinë.

Vëllimi i shkëmbimeve tregtare Kosovë-Serbi nuk ka qenë asnjëherë më i madh sesa në Qeverinë e atyre që kanë udhëhequr fushatën ‘Bojkotoni Produktet e Serbisë’. Pra, Kurti ka vendosur disa masa krejtësisht margjinale reciprociteti për të mos vendosur masat themelore të reciprocitetit me Serbinë. Për më tepër, Kurti flet krejtësisht pa lidhje kur thotë se përfituesit kryesorë të marrëveshjeve me Serbinë duhet të jenë qytetarët e dy vendeve.

Ne fakt, masat për lejekalime e targa të cilat gjithsesi janë të mirëpritura, por të pamjaftueshme, dëmtojnë vetë qytetarët shqiptarë e serbë që për nevojat e tyre jetësore sorollaten kufijve tokësore Kosovë-Serbi.

Nga ana tjetër, vendimi për mos vendosje të masave të reciprocitetit ekonomik ndihmon Serbinë dhe oligarkët kriminalë të Kosovës, maunet e të cilëve Kurti i rrokulliste egërsisht vetëm me qëllimin për të ardhur si mashtrues ne pushtet.

Me fjalë të tjera, kryetari i së majtës në Kosovë është shndërruar në mirëmbajtës të lidhjeve të biznesit të oligarkëve të Kosovës me Serbinë. Në këtë kuptim, loja e Kurtit me masa kinse reciprociteti është vetëm një farsë e zbrazët, prapa së cilës fshihet trashja e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë e Vuçiç-it.

Nga ana tjetër, kush nuk e mban mend Albin Kurtin ulur këmbëkryq në mes të sheshit të realizuar mjeshtërisht nga Ismet Beqiri (sepse Shpendi i tij nuk la as edhe një gjurmë për tetë vjet qeverisje në qytet), duke mbajtur ligjërata me fytyrë të ngrysur se si ne kemi nevoje për një dialog nga poshtë-lartë, jo nga lartë-poshtë, dialog demokratik, jo burokratik?

Eh, po i njëjti e la një Kosovë të tërë në mëshirë të konferencës së Vuçiç-it për të marrë vesh diçka rreth zhvillimeve ne Bruksel. Pra, Kurti dhe dallaveraxhiu i tij smirëzi, Besnik Bislimi, kanë vendosur ta trajtojnë dialogun me Serbinë si në komplotet e tyre të pista kundër aktivistëve të PSD-së.

Tutje, pas një takimi që sipas Borrell ishte më i miri deri tani mes tyre, sejmenët e VV-së dhe asistentët e tyre nga lista GUXO, e paraqiten si fitore të madhe zbarkimin e trupave amerikane në komunat veriore të Kosovës. Kjo është një gjë shumë pozitive në kuptim të ruajtjes së sigurisë publike në atë hapësirë të Kosovës.

Sidoqoftë, ajo që nuk është duke u vërejtur mjaftueshëm në publik, është pikërisht fakti se tani kemi të bëjmë me një rivitalizim të Marrëveshjes së Kumanovës vetëm për Veriun e Kosovës. Vetë Kurti ka qenë kundërshtar i përbetuar i kësaj marrëveshjeje me arsyetimin se ajo në thelb garanton sovranitetin e RFJS-së/ Serbisë mbi Kosovë.

Kjo marrëveshje megjithatë ka luajtur një rol themelor në shtetndërtimin e Kosovës duke garantuar kornizën e veprimtarisë së KFOR-it në Kosovë.

Pavarësisht kësaj, sot kjo marrëveshje është duke u zbatuar pjesërisht dhe me masa të veçanta në Veriun e Kosovës për të parandaluar dy zhvillime të mundshme: dërgimin e njësive speciale të Kosovës në Veri dhe kryengritjen e serbëve të kontrolluar nga Beogradi atje.

Si rrjedhojë, atje do të ketë gjithnjë e më pak zbarkime të njësive speciale të Kosovës dhe gjithnjë e më pak incidente nga ana e Serbisë. Derisa kjo do të prodhojë më shumë paqe e qetësi, por po ashtu do të zvogëlojë sovranitetin e Kosovës në pjesën më vitale të hapësirave veriore të saj.

Në këtë kuptim, vizitat simbolike të Sveçlës në Veri janë vetëm mbulim i faktit se tashmë janë duke u krijuar kushtet për zvogëlim të ushtrimit të sovranitetit efektiv të Kosovës në atë hapësire. Fundja, Albin Kurti fillimisht i dha praktikisht pavarësinë energjetike Komunave të Veriut nga Kosova dhe tani është duke u përgatitur edhe për dhënien e pavarësisë nga institucionet qendrore të sigurisë në Kosovë.

Këto të fundit, ndërkaq, në vend se të bëjnë ndonjë gjë të hairit në Veri të vendit, kanë qenë shumë të zënë në falsifikimin e dokumenteve për të shpëtuar kriminelin Martin Berishaj nga afera e tij multimilioneshe me kotillen e Rankoviç-it.

Në fund, pranimi i marrëveshjes për energjinë i zhvleftëson krejt përpjekjet e rrejshme të Kurtit për vendosje të reciprocitetit me Serbinë. Përtej kësaj, kjo marrëveshje e ka vendosur praktikën e zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme me Serbinë, përfshirë Zajednicën që Albin Kurti do ta zbatoj përulësisht dhe duke u zgërdhirë së bashku me satelitët e tij të prishur në krye të PDK-së dhe LDK-së.

A jeni duke i dëgjuar më duke folur për reciprocitet në të drejta për serbët në Kosovë sikurse për shqiptarët në Serbi? Jo, fare! Ai do t’ua japë serbëve zemrën e Kosovës, e do t’i braktisë shqiptarët e Serbisë.

Për të siguruar një mbulesë prej mashtruesi, ai do t’ua ndajë disa para, kinse për mbështetje atyre atje, pa e trajtuar çështjen e tyre politikisht. Ndaj, kini edhe pak durim se do të bëhet hataja. Ai që për interesat e veta ka shkelmuar kauzën e bashkimit kombëtar, për interesa të veta do ua zbatoj një super-Zajednicë në emër të Kosovës.

Mendjet e kthjellta dhe zemrat patriotike po fillojnë përgatitjet për këtë betejë vendimtare për shtetësinë e Kosovës. Të tjerët po bien në kurthin e admirimit të masave për lejekalime e targa makinash si shenja qendrore të sovranitetit të vendit.

Në fund të fundit, marrëveshja përfundimtare me Serbinë është çështje gjashtë muajsh e pastaj do ta shohim kush është kush në ketë vend, në radhë të parë Albini, Memli e Lumiri.

Vjosa, ndërkaq, mund të jetë e zëne duke fshehur motrën e saj ne paradhomën e Presidencës për t’i siguruar ndonjë fotografi me diplomatë të huaj, siç bëri në rastin e Dua Lipës.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë