Loading…

Albulena Gërvalla: Karateistja nga Lupçi që zuri vendin e pestë në Lojërat Mesdhetare, por synon ta pushtojë botën

  • 26/06/2022 | 21:22

Albulena Gërvalla: Karateistja nga Lupçi që zuri vendin e pestë në Lojërat Mesdhetare, por synon ta pushtojë botën

Tashmë është bërë klishe të themi se vajzat tona po na bëjnë krenare përreth botës, mirëpo është e vërtetë. Në art e në sport, sidomos në sporte luftarake, Kosova dëshmon vit pas viti se ka një rini që është e gatshme të shpërthejë me arritje të mëdha në tërë globin, e përjashtim këtu nuk bën as karateistja Albulena Gërvalla, shkruan Gazeta Metro.


Një 21 vjeçare nga fshati Lupç i Poshtëm, e dashuruar pas sportit të karatesë që nga fëmijëria e saj e hershme, Albulena nuk është e ngopur me medaljet e fituara deri më tash në karrierën e saj të re.

Ajo garon vazhdimisht në kategorinë -55kg, si pjesë e klubit AS Prishtina në fshatin Bardhosh, me trajner Isak Currin. Karateistja ka fituar dy herë radhazi medaljen e bronztë në Kampionatin Europian, por ky është vetëm fillimi.

Në një prononcim ekskluziv për Gazetën Metro, pasi zuri vendin e pestë në Lojërat Mesdhetare që sivjet po mbahen në Algjeri, Albulena ka folur rreth objektivave dhe synimeve të saj që ta bëjë Kosovën krenare në këtë sport.

E dhënë pas karatesë që kur ka qenë një vajzë e vogël, natyrisht se është nevojitur shumë punë e përkushtim për të arritur në kompeticione kaq prestigjioze.

“T’i përkushtohem karatesë që nga fëmijëria nuk ka qenë e lehtë, por dashuria për sport dhe ëndrra ime të arrij në majat e suksesit ma bëjnë shumë më të lehtë dhe janë vullnet që të vazhdoj dhe ta realizoj ëndrren time”, tha Gërvalla.

“Pjesëmarrja në gara të mëdha nuk është aq e lehtë sepse duhet të punosh vazhdimisht çdoherë e më shumë për të pasur sukses”, vazhdoi më tej karateistja e radhitur në vendin e nëntë në Kampionatin Botëror të vitit 2021.

Ajo sot kaloi deri në gjysmëfinalet e Lojërave Mesdhetarë të Oranit, duke përfunduar në vendin e pestë. Për këtë arritje, Gërvalla thotë: “Përvoja në Lojërat Mesdhetare ishte mjaft e mirë, si herë e parë që marr pjesë në këto lojëra.”

“Jam ndarë e lumtur me rezultatin tim”, tha më tej Albulena për Gazetën Metro.

Karriera e Albulenës sapo ka filluar dhe mosha e re i dhuron asaj kohë të mjaftueshme për t’u ngjitur në podiumet e kompeticioneve më të mëdha të karatesë në botë.

Për qëllimet e saj në të ardhmen, e bronzta europiane shprehet kështu: “Synimet e mia për të ardhmen janë të bëhem kampione e shumëfishtë europiane dhe botërore.”

Më tej, shtoi: “Unë dhe trajneri im Isak Curri jemi duke punuar në vazhdimësi për t’i sjellur medalje Kosovës. Shpresojmë dhe besojmë që do t’ia dalim.”

“Ëndrra ime më e madhe është ta bëj krenar shtetin tim”, përfundoi Albulena Gërvalla.

A do të kemi së shpejti një Majlinda Kelmendi të karatesë? Kjo mbetet të shihet. Por, një gjë është e sigurt, emrin Albulena Gërvalla nuk duhet ta harroni./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë