Loading…

Alma Lama zyrtarizohet si ambasadore në Itali

  • 16/12/2016 | 18:31

Alma Lama zyrtarizohet si ambasadore në Itali

Alma Lama tashmë edhe zyrtarisht është ambasadore e Kosovës në Itali. Ajo sot i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit italian, Sergio Mattarella, shkruan Gazeta Metro.


Me këtë rast, Alma Lama i ka shprehur presidentit italian knaqësinë e të qenit ambasadore në Itali. Gjithashtu, ajo ka përcjellur edhe, siç ka thënë, përshëndetjet e ngrohta të presidentit Hashim Thaçi dhe popullit të Kosovës.

“Është një kënaqësi e veçantë dhe nder për mua që sot  t’ju  prezantoj letrat kredenciale si ambasadore e Republikës së Kosovës tek Republika e Italisë. Me këtë rast iu përcjell përshëndetjet e ngrohta nga presidenti  Thaci dhe populli i Kosovës”, ka thënë Lama.

Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë:

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Italisë, Shkëlqesisë së Tij, Sergio Mattarella duke marrë kështu edhe zyrtarisht detyrën ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë në Republikën e Italisë.

Ceremonia e dorëzimit të kredencialeve u zhvillua në pallatin presedencial Quirinale, e shoqëruar nga një ceremoni nderi. Me pas në një takim tepër të ngrohtë e miqësor me presidentin, ambasadorja Lama pasi përcolli përshëndetjet e presidentit të Kosovës dhe të popullit të Kosovës, e falënderoi  për kontributin e vazhdueshëm që vendi i tij ka dhënë si në çlirimin e Kosovës si anëtare e NATO-s ashtu edhe në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe të ndërtimit të shtetit. Ambasadorja e falënderoi presidentin italian edhe për kontributin me trupat e KFOR-it, të cilat garantojnë sigurinë e shtetit të Kosovës. Lama i shprehu presidentit dëshirën e shtetit të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me shtetin italian si në fushën ekonomike , ashtu edhe atë kulturore.  Edhe  Shkëlqesia e tij, Presidenti Mattarella foli në lidhje me avancimin e marrëdhënieve tepër miqësore me shtetin e Kosovës, siç i cilësoi ai, në një nivel më të thellë të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e tregtisë, si dhe atë të kulturës e arsimit. Presidenti italian shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar Kosovën në proceset integruese evropiane dhe tha se rruga drejt BE-së është e vetmja që do të ndihmojë rajonin dhe zgjidhjen e konflikteve që e karakterizojnë atë.

Fjalimi i ambasadores Lama me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.

“Është një kënaqësi e veçantë dhe nder për mua që sot  t’ju  prezantoj letrat kredenciale si ambasadore e Republikës së Kosovës tek Republika e Italisë. Me këtë rast iu përcjell përshëndetjet e ngrohta nga presidenti  Thaci dhe populli i Kosovës. Kosova dhe Italia kanë vendosur marrëdhënie diplomatike  menjëherë pas shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008 dhe Italia është një nga mbështetëset më të mëdha të shtetit të Kosovës, si në rrugën drejt pavarësisë, ashtu edhe të shtetndërtimit dhe të demokracisë. Populli i Kosovës është  mirënjohës për  kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë dhe jep shteti juaj në shumë fusha. Ne ju jemi mirënjohës veçanërisht  për trupat e shumta ushtarake të KFOR-it që kanë garantuar sigurinë në Kosovë, që pas përfundimit të luftës, me 1999, ashtu sikurse iu jemi mirënjohës për rolin e Italisë në luftë, si pjesë e  NATO-s që ndihmoi në çlirimin e Kosovës. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’iu uruar edhe zgjedhjen e qeverisë së re të kryesuar nga z.Gjentiloni,  si dhe ministrin e jashtëm z. Alfano, qeveri me të cilën jemi të interesuar të punojmë ngushtësisht. Me lejoni t’ju them se unë këtu në Romë do të përfaqësoj një shtet të ri, vetëm 8 vjeç, por një popull të lashtë me të cilin historia në pjesën me të madhe të saj është treguar e pamëshirshme.  Ne tani po bëjmë përpjekje për të ndërtuar një të tashme dhe të ardhme qe nuk do t’i ngjajë së shkuarës, një shoqëri të lirë dhe demokratike. Ne e kemi një model të cilin e admirojmë dhe duhet ta ndjekim, e ai është modeli Evropian. Italia është nga ato vende në të cilat ne kemi shumë besim se do të na ndihmojë për tu futur në gjirin e Evropës, ashtu sikurse i përkasim edhe fizikisht. Republika e Kosovës është shumë e interesuar që të vazhdojmë dhe thellojmë bashkëpunimin që kemi tani me Italinë. Dëshirojmë të kemi më shumë shkëmbime kulturore dhe tregtare. Edhe distanca fizike mes Italisë dhe Kosovës e favorizon një bashkëpunim të tillë. Shkëlqesia juaj, zoti president, me këto fjalë të miqësisë dhe përkushtimit, dëshiroj tiu prezantoj,  letrat e tërheqjes së ambasadores parecall of my predecessor dhe letrat e mia kredenciale që më akreditojnë  ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë