Kosovarët gjatë vitit të kaluar kanë marrë mbi 5 mijë viza pune gjermane në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.
Ligji i ri gjerman i hyrë në fuqi në janar të vitit të kaluar u mundëson qytetarëve të Ballkanit që të pajisen me vizë pune të Gjermanisë.
Këtë të drejtë vetëm gjatë vitit të kaluar e kanë shfrytëzuar disa mijëra kosovarë.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka bërë të ditur se fitues të kësaj vize gjatë vitit që lamë pas kanë qenë vetëm mbi 5 mijë qytetarë.
“Nga janari i vitit 2016, mbi 5.000 viza pune janë lëshuar nga ambasada gjermane në Prishtinë, nën skemën e vizave të punës për vendet e Ballkanit perëndimor”, tha për gazetametro.net Marten Menger, zyrtar për media në ambasadën gjermane në Prishtinë.
Tutje, ai ka qartësuar edhe më shumë procedurën e cila mundëson marrjen e një vize pune gjermane për shtetasit e Kosovës.
“Një nga hapat e parë para se të aplikohet për vizë të punës është pajisja me një para-miratim nga Agjencia Federale e Punës në Gjermani. Një person është i lejuar të punojë në Gjermani, atëherë kur ka marrë një vizë pune, të cilës gjithashtu mund t’i referohemi me “leje pune”, u shpreh ai.
“Nësë një person ka marrë para-miratimin nga Agjencia gjermane Federale e Punës dhe ka përmbushur të gjitha kërkesat e tjera, atëherë mund të aplikojë për vizë të punës në Ambasadë”, ka shpejguar Menger për gazetametro.net.
Rrjedhimisht, jo domosdo numri i para-miratimeve të dhëna nga Agjencia Federale e Punës duhet të përputhet me numrin e vizave të punës të lëshuara nga ambasada gjermane, siç ka treguar ai.
Ndryshe, vitet e fundit është rritur dukshëm numri i qytetarëve kosovarë që janë larguar nga Kosova, në kërkim të kushteve më të mira ekonomike. /gazetametro.net.