Ambasadori amerikan në Nato, Mattheë Whitaker, të martën ka ardhur në Kosovë në kuadër të vizitës dy ditore që ka planifikuar. Ai të martën u takua me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, me të cilën diskutoi për zhvillimet politike, sigurinë në rajon dhe rëndësinë e “bashkërendimit të ngushtë mes aleatëve” për t’u përballur me sfidat e kohës, përcjell Gazeta Metro.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha se vizita e zyrtarit amerikan është mundësi për të diskutuar për interesat e përbashkët në fushën e sigurisë.
“Vizita e tij paraqet një mundësi për të diskutuar interesat e përbashkëta të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të Kosovës në kontributin ndaj prioriteteve rajonale dhe globale të sigurisë së SHBA-së”, u tha në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Në ndërkohë vetë Haxhiu shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës ndër vite, duke e cilësuar këtë partneritet si thelbësor për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.
Ambasadori i Natos gjatë ditës u takua edhe me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozgan Ulutash.
Ulutash e njoftoi ambasadorin amerikan me situatën e sigurisë në rajon, duke vënë në pah rolin e KFOR-it për “ruajtjen e një mjedisi të sigurt” për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Whitaker pritet të ketë takim edhe me Kryeministrin Kurti, ndërsa para Kosovës ai vizitoi edhe Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë. /gazetametro.net