Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave serbe. Ai thotë se është i vetëdijshëm për shqetësimet që janë ngritur rreth një teme të tillë, transmeton Gazeta Metro.
Hovenier ka theksuar se askush në Kosovë nuk është i interesuar për një “Republika Srpska”.
Siç potencon Hovenier, një e tillë nuk është e dobishme dhe nuk i ndihmon Kosovës.
“Do të thosha se madje edhe atëherë, në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë, diçka me funksione ekzekutive, diçka që… jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Srpska tjetër. Askush nuk është i interesuar për këtë. Kjo nuk i ndihmon Kosovës. Nuk është e dobishme. Por, ka disa përfitime sa i përket koordinimit”, ka deklaruar ambasadori amerikan për RTK.
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar edhe se në dialogun më Serbinë nuk do të diskutohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës.
Hovenier ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kjo mund të kundërshtohet por kështu është. Realiteti dhe faktet flasin vetë në terren.
“Kosova është shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është. Kosova është shtet sovran. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është. Dhe njerëzit mund të debatojnë sa të duan, por realiteti dhe faktet në terren flasin vetë”, ka deklaruar Hovenier.
Shefi i diplomacisë amerikane në Kosovë, Hovenier, ka thënë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga më e mirë për të arritur rezultate tek ka bërë të ditur se do mirëpres në Prishtinë të dërguarin e SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. /gazetametro.net