Loading…

Ambasadori O’Connell: Të korruptuarit nuk do të mund të hyjnë në Britani të Madhe

  • 23/05/2019 | 13:44

Ambasadori O’Connell: Të korruptuarit nuk do të mund të hyjnë në Britani të Madhe

E plotësuar

(13:57) – Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka shkruar se zyrtarëve të korruptuar kosovarë do t’iu ndalohet hyrja në shtetin e tij.

Këtë O’Connell e ka bërë të ditur në një koment në rrjetin social “Facebook”, teksa po bashkëbisedonte me qytetarë.

Ai u pyet nga një qytetar nëse Ambasada e Britanisë së Madhe do të veprojë njësoj si ajo e Amerikës për t’i ndaluar vizat zyrtarëve të korruptuar

O’Connell deklaroi se cilido që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsionin, nuk do të mund të hyj në Britani.

Në anën tjetër, Ambasada Amerikane në Kosovë ditë më parë bëri të ditur se ka marrë vendim që të mos ua lëshojë vizat zyrtarëve që akuzohen për korrupsion.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell u është përgjigjur sot për një orë pyetjeve të lexuesve në rrjetin Facebook.


Lexuesit me këtë rast i kanë bërë pyetje të shumta diplomatit britanik, ku shumë edhe prej tyre nuk kanë marrë përgjigje.

Ai është pyetur nga një lexues se a ka shpresë që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë, në mënyrë që të rregullohen problemet me të cilat përballet Kosova.

E në përgjigjen e tij, diplomati britanik ishte shumë i qartë dhe decidiv, duke thënë se problemet duhet të zgjidhen nga vetë qytetarët.

“Jo, mos keni shpresë hiç, asnjë pike shprese, për ndërhyrje ndërkombëtare. Kosova është shtet i pavarur. Nuk ka rast në botë që janë rregulluar problemet e një vendi, të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i pritur të huajt të vijnë. Askush nuk ka me ta ndreqë shtëpinë, duhesh me bë vetë. Bëje vetë. Por, ne do të vazhdojmë të kërkojmë përmirësime, sepse krimi i organizuar në Kosove na dëmton neve dhe nuk e pranojmë më. Dhe nëse ka vullnet politik për të ndryshuar gjërat, qoftë nga qeveria, qoftë nga një qeveri tjetër, ne do të jemi pranë politikanëve që me të vërtetë dëshirojnë të luftojnë krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Diplomati britanik duke u përgjigjur në pyetjet e qytetarëve, ka kritikuar edhe sistemin e drejtësisë.

Duke përmendur rastin e ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike, Emin Beqiri, i cili ishte shpallur i fajshëm nga Gjykata Themelore për keqpërdorim zyrtar, e më pastaj Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë këtë aktakuzë, O’Conell tha se Beqiri është tashmë edhe shef i Policisë në Ferizaj. Për çka, ai tha se heziton të takohet me investitorë britanikë, të cilët duan të investojnë në Ferizaj.

“Unë kam investitorë britanikë, të cilët duan të investojnë në Ferizaj, por si mund të ulem unë në takim me ta dhe të ju them ‘Mos u brengosni sepse policia në Ferizaj do t’ju ruajë’, kur ne e dimë se njerëzit si këta udhëheqin policinë, dhe kur e dimë që këto lidhje me kriminalitetin vazhdojnë dhe kur sistemet gjyqësore bëjnë gabime dhe nuk ka përgjegjësi për ata gjykatës që janë duke i bërë këto, dhe është një fjalë për këtë: kapje e shtetit”, ka thënë ai.

Ambasadori britanik thotë se është jetësore që ndryshimet të ndodhin. Sipas tij, prokurorët dhe gjykatësit e guximshëm kanë nevojë  për përkrahje, në mënyrë që të tregojnë me trimëri, për atë që nuk pajtohen që po ndodh në vend.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë