Loading…

Amerika Foli!

  • Nga

  • MUHAMET H. BYTYÇI

  • 28/03/2020 | 17:33

Amerika Foli!

Amerika përmes emisarit  të Presidentit Amerikan për bisedimet Kosovë–Serbi, Richard Grenell, foli. Sigurisht që Grenelli foli me gjuhën e diplomatit amerikan, dhe për pak minuta tha shumë. Foli me gjuhën që flasin amerikanët – që është politikisht korrekte dhe me mesazh  të qartë.


Shkruan: Muhamet H. Bytyçi

Grenell nuk foli me gjuhën e Thaçit për Vladimirin (katundin e Albinit), e as me gjuhën e Albinit për Bradashin (katundin e Agimit). Jo. Gjuha e tij ishte gjuhë diplomatike,  por që mbyll krejt vrimat për interpretim që i kërkonte pak minuta pas intervistës fytyra e qeverisë në dorëheqje, Haki Abazi.

Grenell gjatë intervistës, për ata që mendojnë racionalisht tha: Amerika nuk do të ju lë vetëm, sic nuk ju ka lënë as në të kaluarën. Qetësohuni e bashkëpunoni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Ai tha që fokusi jonë është ekonomia rajonale e që edhe Kosova fiton aty. Tërthorazi tha që ne nuk jemi Rusi, që me tanke ta imponojmë agjendën tonë, e as nuk përdorim mjete dhune. Ajo që bëjmë ne është që nese nuk bashkëpunoni me ne, ne i përdorim  instrumentet tona demokratike që kemi: ndihmat monetare, projektet dhe investimet amerikane në Kosovë.

Më shumë foli për të ardhmen dhe synimet e SHBA-së në Kosovë dhe rajon sesa për të shkuarën, për atë që neve na vlon gjaku me folë vazhdimisht në 90% të kohës.

Ambasadori Grenell përvec tjerash nxori edhe mashtrimet që politika provinciale deshi të na imponojë se gjoja qenka një marrëveshje sekrete dhe se Kosovën e pret ndarja. Se Shtëpia e Bardhë qenka “Shtëpia e Zezë” për fatin e Kosovës. Se Presidenti i Kosovës ia paska përgatit gjëmën Kosovës, thua se ai nuk qenka njëri nga shqiptarët që ka luftuar për këtë vend.

Ai në gjuhen diplomatike tha: Mos gënjeni! Pas shumë mashtrimeve që u sollën nëpër kuluaret e politikës në Prishtinë këtë vit. Pas asaj që e konfirmoi seanca e shkarkimit të Qeverisë: që është një problem që shqiptaret i ka shoqëruar gjithmonë – protogonizmi personal. Pra, asgjë patriotike.

Në këtë situatë kur për protogonizëm personal se kush do të bëjë marrëveshjen e madhe që do ta mbyllte  status quo-në në rajon,  më me rëndësi për politikanët kosovarë është kush e nënshkruan sesa çka, ku dhe  kur e nënshkruan.

Kërkuan aleanca edhe me vendet që nuk na kanë njohur e edhe ku nuk do duhej të kërkohej në këto momente, vetëm për pak emër në histori. E pështirë!

Sigurisht që këto lojëra ShBA si një nga mbështetësit kryesor të Republikës së Kosovës as nuk i pranon e as nuk i lejon. Toleranca ndaj gënjeshtrave dhe mashtrimeve është e vogël.

Për të gjithë ata që kanë nxjerr vrerë dhe po e ushqejnë antiamerikanizmin  duhet kujtuar vetëm disa momente që u përmenden shumë keto ditë,  por që janë të nevojshme të rikujtohen sa herë të zëmë në thua si shoqëri.

Amerika ishte me ne për lirinë tonë në vitin 1999, për pavarësinë tonë në vitin 2008, për ushtrinë tonë në vitin 2019, për ekonominë tonë, për njohjet tona, për studentet tanë, për profesorët tanë, për ekspertët tanë dhe për diasporën tanë atje dhe për shumë e shume ndihma që kemi marrë për tri dekada.

Në mund t’i etiketojmë ambasadorët e saj, mund t’i quajmë imperialistë, mund të sillemi si Shqipëria Enveriste dhe të kënaqemi me dokrrat e fjalimeve të bukura e të gjata. Por, nuk duhet harruar që shteti i brishtë i Kosovës, pa Amerikën rrezikon ekzistencën.

(Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë