Titulli është i frymëzuar nga titujt e një seri shkrimesh muajve të fundit “Analet e një qyteti të kapur”. Autori nuk është ndonjë analist studiosh televizive, gazetar apo diplomat ndërkombëtar. Është kryetar i qytetit të Prizrenit. Një njeri që u votua si shpresë për ndryshim. Premtoi se po i largonte njëherë e mirë demonët e zi nga qyteti. Tha se do të jetë zëri i atyre që nuk janë dëgjuar kurrë. Ai mburrej se kishte dhe zotëronte gjithëçka. Edhe shkopin magjik. Edhe karrotën. Edhe ekipin më të mirë. Edhe partinë e duhur. Krejt çfarë kërkonte e premtonte ky zotëri ishte të ulej një herë në karrigen e kryetarit të komunës. Pastaj shkëlqimi do të zgjaste përjetë…! Dhe kësaj thirrje qytetarët iu përgjigjën.
Shkruan: Bashmir Xhemaj
Natën e 19 nëntorit të 2017, fryma dhe bora e mbështjellë me shi të ftohtë po ngrinte fytyrat e qindra njerëzve rrugëve të qytetit që po prisnin për rezultatin e votimeve. Disa të tjerë në grupe më të vogla po mësynin drejt zyrave partiake që nuk ishin larg njëra-tjetrës. Në kampin e parë kishte rënë qetësia, sikur të binte murtaja. Dikush pëshpëriste se është vetëm një lajm i rremë. Tjetri thoshte e kam ditur që do të humbasim. Një tjetër nuk e besonte.
Nuk do të vononte shumë dhe nga kampi tjetër u dëgjuan ulërimat festive të përkrahësve. Thirrjet vetëm sa vinin e rriteshin. Ata kishin mësyrë sheshin e qytetit për të festuar. Nga ajo natë edhe ky shesh do të jetë i tyre. Edhe pushteti. Edhe drejtoritë në komunë. Edhe menaxhimi i buxhetit të qytetit. Do të vendosnin edhe për ujin e pijshëm; mbledhjen e mbeturinave e gjithëçka tjetër që i përkiste qytetit. Ata pretendonin se ishin vetë imazhi që i kishte munguar qytetit prej vitesh.
Një grup shumë më i madhë i qytetarëve kishin ngelur në shtëpitë e tyre. Ata nuk kishin ndonjë detyrë tjetër prej sovrani – thirrjes i ishin përgjigjur për ta bërë ndryshimin. Thirrjes dhe shpresës për ndryshim. Pritjet ishin të mëdha. Jo për fajin e tyre. Ishte kryetari i ri dhe partia e tij që kishin ngritur këto pritje. Ditën që fitoi, në sheshin e qytetit, ai u tha ithtarëve se kapja mori fund. Qyteti u çlirua së dyti. Dhe po e thoshte në praninë e komandati lufte që vërtet kishte luftuar dhe hyrë në qytet ditën e çlirimit me 1999. Ishte një fyerje për të dhe shokët e tij të vrarë në luftë. Por, në fund të fundit, askujt nuk i bënte përshtypje. Duhej shikuar përpara.
Dy vjetë pas zgjedhjeve, kryetari ka nisur një seri të shkrimeve ku akuzon, shfaqet i mllefosur, i dorëzuar dhe i dështuar. Akuzon të tjerët se qyteti është i kapur. ”Ata” e kanë fajin që ai nuk ka sukses. Akuzon shoqërinë civile dhe mediat që po e kritikojnë, e të cilët me kritikën e tyre për ish pushtetin, e mbështetën mjaftueshëm ta fitonte garën. Në fund të fundit, ai erdhi si premtim i hapjes me publikun, transparencës e llogaridhënies më të madhe dhe më të mirë se pushtetet e kaluara.
Të gjitha këto ranë poshtë. Ai është vetë dështimi. Zhvillimi i qytetit ka ngecur. Madje edhe në përmbushjen e nevojave elementare të funksionimit. Këtë e thonë çdo ditë ata që e përkrahën…! Kryetari i ri u kthye shpejt kundër biznesve private duke nisur një luftë të ashpër kundër qendrës tregtare ABI, njërin nga punëdhënësit më të mëdhenjë në qytet. Krerët e institucioneve të drejtësisë i akuzoi si të shitur dhe të kapur. Ai dështoi ti ofroj qytetit një vizion zhvillimi. Ndërtimet e egra nuk u ndalën në qendrën historike dhe punësimet partiake vazhduan me avazin e vjetër. Tani kryetari ankohet se qytetarët kanë pritje jo reale nga ai dhe komuna që udheheq. Akuzon partinë e tij se e ka lënë vetëm. U kthye bërllogu, jo transparenca dhe tepricat buxhetore ku vetëm në vitin 2019 ishin 6 milionë euro. Akuzonte ish kryetarin për problem me drejtësinë kurse ai mban në punë ende pesë drejtorë me aktakuzë. Dy zyrtarë të lartë të arrestuar dhe asnjë fjalë. Dhe emri i këtij kryetari të dështuar është Mytaher Haskuka. Në shkrimin e radhës, do të kuptojmë si u kthye kundër shoqërisë civile, medias dhe çdo kritiku të tij. Si e ka braktisur karrigen që aq shumë e kërkoi dhe ka nisur befasisht të shkruaj!
(Autori është profesor i Mardhënieve me publikun dhe kjo kolumnë është shkruar enkas për Gazetën Metro)